Lajmet e fundit
Dëgjim publik i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport
E Premte, 16.10.2015
Komisioni për Arsim,Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, kryesuar nga Nait Hasani, kryetar i Komisionit, mbajti sot një dëgjim publik, lidhur me Projektligjin nr. 05/L-047 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-065 për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, i cili tashmë është përkrahur nga ana e Kuvendit në lexim të parë. Qëllim i këtij Projektligji është ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit nr.04/L-065 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e Përafërta me qëllim të harmonizimit me direktivat e Bashkimit Evropian në fushën e së drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta. Në këtë dëgjim merrnin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe të shoqatave që merren me të drejtat e autorëve.
Vëmendja e diskutuesve u përqendrua në problemet në fushën e mbrojtjes së të drejtave të autorit, posaçërisht kur është çështja e mbrojtjes së autorësisë së lajmit të ditës, që po keqpërdoret nga ana e portaleve të ndryshme. Në këtë frymë, u theksua edhe nevoja e mbrojtjes së të drejtave të autorit në lëmin e artit,të botimit të librave etj. Komisioni do ta vazhdojë punën në shqyrtimin dhe amendamentimin e këtij Projektligji.