Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Premte, 16.10.2015




Shqyrtimi i propozimeve për plotësim - ndryshimin e Ligjit për RTK, nr.04/L-046, ishte temë e mbledhjes së sotme të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, të kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit. Propozimet për plotësim - ndryshimin e Ligjit janë bërë nga ana e këtij Komisioni. Duke hapur mbledhjen, z. Pajaziti theksoi se janë marrë informata për financimin e RTK-ës, janë zhvilluar debate edhe me shoqërinë civile, ndërsa tash duhet të fillohet me procesin e amendamentimit të këtij Ligji, i cili duhet të bëhet sa më shpejt. Gjatë diskutimit u theksua se Komisioni duhet të ketë synim parësor gjetjen e një zgjidhje sa më të mirë për financimin e RTK-ës, i cili aktualisht bëhet nga ana e buxhetit të Kosovës. Anëtarët e Komisionit angazhoheshin që të gjenden modele sa më të mira përkitazi me këtë çështje, në rajon dhe më gjerë në Evropë dhe mbi këtë bazë të propozohen edhe amendamentet. U tha se do të jetë ky proces afatgjatë, ndërkaq është e udhës që RTK-ja të hartojë dhe prezantojë një paraprojekt buxhetor, si dhe planet për zgjerimin e skemës programore, sidomos kur është fjala për programet në gjuhët e komuniteteve. U përmend me këtë rast edhe çështja e pazgjidhur e pronës së RTK-ës, e cila reflekton edhe tek sponzoruesit e këtij institucioni.

Komisioni përcaktoi edhe agjendën e shqyrtimit të mëtejmë të propozimeve për plotësim - ndryshimin e Ligjit për RTK-ën.

 

 

 Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media