Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, takoi ambasadorin e Kanadasë, Daniel Maksymiuk

E Marte, 13.10.2015




Në takim, Z. Veseli dhe Z. Maksymiuk diskutuan për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, sfidat aktuale të Kuvendit, agjendën legjislative dhe prioritetet. Në takim, po ashtu u theksua përkushtimi për zhvillimin ekonomik dhe gatishmëria e tërë spektrit politik kosovar për përmbushjen e kritereve në procesin e euro-integrimeve, gjë të cilën Kanadaja e mbështet fuqishëm.


"Ne si Kuvend jemi në një situatë të ndjeshme që po ngjan këtyre ditëve, qytetarët kanë shumë urtësi dhe i respektojnë institucionet e veta dhe nuk do të lejojnë që rruga t'i zëvendësojë ato sepse institucionet i kemi ndërtuar me shumë mund dhe besojmë fuqishëm se aty është vendi për t'i zgjedhur mosmarrëveshjet. Megjithatë, zhvillimi ekonomik dhe procesi i euro-integrimeve mbetet prioritet yni nacional", theksoi kryetari Veseli.

Ambasadori i Kanadasë, Z, Maksymiuk, jorezident për Kosovën, theksoi se është i përkushtuar për ngritjen e profilit të Republikës së Kosovës në Kanada, të begatohet agjenda me bashkëpunimin ekonomik Kanada-Kosovë si dhe do të vazhdojë mbështetja e Kosovës në iniciativat dhe organizatat ndërkombëtare. Po ashtu, theksoi ai, vend të veçantë do të ketë thellimi i bashkëpunimit ndër parlamentar. Ambasadori rreth gjendjes aktuale theksoi se do tejkaluar me urtësi, maturi dhe pozitivitet duke mos i hedhur poshtë të arriturat e deritashme pozitive të Kosovës, kontribut të cilin e ka dhënë edhe Kanadaja.

Kryetari Veseli diskutoi edhe për marrëdhëniet e deritashme me Kanadanë duke theksuar se ato mund të thellohen dhe begatohen me përmbajtje të reja, jo vetëm atë ndër parlamentar por edhe në bashkëpunimin ekonomik.
"Ne po punojmë që ligjet të jenë sa më të mira për tërheqjen e investitorëve dhe sigurinë e tyre. Zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit do të jetë prioritet afatgjatë i vendit tonë, me qëllim të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve. Investitorët nga Kanadaja janë të pranishëm kudo në botë, ne i mirëpresim ata që të investojnë në Kosovë", theksoi Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, takoi ambasadorin e Kanadasë, Daniel Maksymiuk