Lajmet e fundit

Kryekuvendari Veseli takoi ambasadorin Reichel, përgjegjës në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë për Evropën Juglindore

E Hënë, 12.10.2015




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, priti sot në një takim të dërguarin e posaçëm gjerman për Evropën Juglindore, ambasadorin Ernst Reichel. Në takim fillimisht u bisedua për gjendjen aktuale të krijuar në Kuvendin e Kosovës si pasojë e veprimeve të opozitës.


Ambasadori Reichel me këtë rast theksoi: "Fajtor për këtë situatë është opozita, e cila duhet t'i respektojë rregullat e demokracisë parlamentare, ku pakica nuk mundet që me veprime të dhunshme t'ia imponojë vullnetin shumicës".


Nga ana e tij, kryekuvendari Veseli theksoi se është duke bërë përpjekje që në Kuvendin e Kosovës të ruhet fryma e demokracisë parlamentare, duke vazhduar me insistim në mjetet demokratike për afrimin e pozitës dhe opozitës.


"Kuvendi nuk mund të bllokohet dhe do të vazhdojë punën e tij me një paketë projektligjesh shumë të rëndësishme për zhvillimin e vendit", theksoi kryetari Veseli.


Në takim u bisedua edhe për proceset e integrimit evropian të Kosovës dhe zhvillimin ekonomik. Ambasadori Reichel theksoi se Kosova është shumë afër përmbylljes së procesit të nënshkrimit të MSA-së dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.


Kryetari Veseli falënderoi ambasadorin Reichel për mbështetjen e fuqishme që Berlini po i jep në vazhdimësi Kosovës dhe shprehu nevojën që bizneset gjermane të investojnë kapitalin e tyre në ekonominë kosovare. Zhvillimi ekonomik është agjenda të cilën qytetarët e Kosovës e presin nga të zgjedhurit e tyre.

 

 

Kryekuvendari Veseli takoi ambasadorin Reichel, përgjegjës në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë për Evropën JuglindoreKryekuvendari Veseli takoi ambasadorin Reichel, përgjegjës në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë për Evropën Juglindore