Lajmet e fundit

Kryekuvendari Veseli priti ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë

E Premte, 09.10.2015




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, kishte sot një takim me ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë: SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe përfaqësuesit e BE-së në Kosovë. Me këtë rast, ambasadorët e këtyre vendeve shfaqën shqetësimin e vendeve të tyre përkitazi me gjendjen e krijuar në Kuvendin e Kosovës nga veprimet e partive opozitare.


Ambasadorët i dhanë mbështetje të plotë kryekuvendarit Veseli dhe e përgëzuan për lidershipin e vendosur demokratik të treguar në drejtimin e Kuvendit në situatën aktuale. Ata theksuan se për vendet e tyre janë të papranueshme veprimet që cenojnë parimet dhe vlerat e demokracisë, mbi të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë institucionet e Kosovës. Ata theksuan se veprime të këtilla antidemokratike rrezikojnë të dëmtojnë përpjekjet e Kosovës për të ecur më shpejt në rrugën e saj evropiane.


Kryekuvendari Veseli falënderoi ambasadorët për përkrahjen e tyre duke theksuar se Kosova ka qenë, është dhe do të jetë një storie e partneritetit me vendet mike perëndimore. Në vazhdim ai tha se është i nevojshëm një angazhim më proaktiv i të gjithëve, brenda këtij partneriteti, në mënyrë që vendi të ecë përpara, që skenarët e destabilizimit e të kthimit pas të mos kenë rast të jetësohen.


Kryetari Veseli premtoi se do të vazhdojë kursin e përpjekjeve për të gjetur një rrugë komunikimi e dialogu me opozitën, në mënyrë që demokracia parlamentare të mos cenohet dhe vendi të ecë përpara. Në këtë frymë, ai tha se qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë që të shtyhen drejt konfrontimit të rrugës për shkak të mospajtimeve brenda klasës politike.


Kryekuvendari Veseli theksoi më tutje se është koha e fundit që Bashkimi Evropian të japë shenja konkrete të shpresës dhe hapa konkret në afrimin e Kosovës me BE-në, sepse nuk janë serbët apo pakicat tjera rreziku i Kosovës, por varfëria dhe izolimi.

Kryekuvendari Veseli priti ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë Kryekuvendari Veseli priti ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë Kryekuvendari Veseli priti ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë Kryekuvendari Veseli priti ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë