Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Enjte, 08.10.2015




Pas zhvillimeve të sotme në mbledhjen plenare të Kuvendit, po sot, pasdite është mbajtur mbledhja e Kryesisë, së bashku me shefat e grupeve parlamentare, e kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit.

Në këtë mbledhje, ndonëse nuk morën pjesë shefat e grupeve të opozitës, si dhe nënkryetarja e Kuvendit, Aida Derguti, kryesia vendosi për mbledhjen e radhës, e cila do të mbahet më 15 tetor.

Duke pasur parasysh zhvillimet e sotme gjatë mbajtjes së mbledhjes së Kuvendit, Kryesia vlerësoi se veprimet e opozitës të manifestuara gjatë seancës së sotme, janë të papranueshme dhe jodemokratike, ndërkaq, kryeparlamentari, Veseli, sjelljen e sotme të opozitës e vlerësoi duke thënë: "Sjellje jo e dinjitetshme, e cila e vënë në pikëpyetje demokracinë e vendit".

Ai në vijim shfaqi shqetësimin se gjendja ka mundë të jetë edhe më e ndjerë, ndërkaq, iu referua gjendjes së një deputeteje, së cilës, si pasojë e lotësjelësit të përdorur nga opozita, i është keqësuar gjendja shëndetësore.

Kryetari, Veseli, dhe me këtë rast bëri thirrje për tejkalimin e kësaj gjendje me dialog të ndërsjellë.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit haliti, ndërkaq, vlerësoi se Kuvendi duhet të rregullojë aparaturën e skanimit, e cila ka kohë që është jashtë funksionimit. Duhet, tha ai, që Kuvendi të marrë vendim për blerjen e aparaturës së skanimit, në mënyrë që kontrolli tek ne të ndodhë, ashtu siç është praktikë edhe në vendet më demokratike të botës.

Sjellja e opozitës është kritikuar edhe nga shefat e grupeve parlamentare të PDK-së dhe LDK-së.

Kemi bërë përpjekje të mëdha që skena të dhunës të mos ndodhin, tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, vlerësoi: "Në emër të mirëkuptimit ndaj opozitës, po rrezikojmë jetën e deputetëve".

Kundër skenave të sotme në Kuvend u shpreh edhe nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb, Sllobodan Petroviq. Ai vlerësoi se ngjarjet e sotme dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës dhe bëri thirrje për normalizim sa më të shpejtë të gjendjes.

Gjatë diskutimit për mbledhjen e radhës, ndërkaq, Kryesia vendosi që në mbledhjen e radhës të trajtohen këto pika të rendit të ditës: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare. Më pas, u morr vendim që të shqyrtohen edhe këto projektligje: Projektligji për shëndetin mendor, si dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri.

Kryesia, po ashtu vendosi, që në këtë mbledhje plenare të bëhet edhe përzgjedhja e një anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, emërimin e një anëtari në Këshillin Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, emërimin e anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas, si dhe emërimin e një anëtari në Komisionin për Kërkesa Pronësore.

Në vijim të kësaj mbledhjeje, ndërkaq, është në rend dite edhe formimi i Komisioni ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të RTK-së nga komuniteti serb.

Po asht, në këtë mbledhje, do të bëhet edhe propozimi i grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

 

 

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit