Lajmet e fundit

Vazhdimi i seancës së Kuvendit

E Enjte, 08.10.2015




Kuvendi i Kosovës, pas pauzës, vazhdoi punimet, megjithë pengesat e mëdha që shkaktonte zhurma e pandërprerë e deputetëve të opozitës, sidomos me fishkëllima me filikaqa,madje nga fundi i mbledhjes, nga deputetë të opozitës u hodh edhe gaz lotsjellës. Kryekuvendari Veseli, në vijim ia dha fjalën ta drejtojë seancën , nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Halitit.


Pikë e parë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i parë i Projektligjit për Zonën e Rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, të cilën e kishin përkrahur komisionet përkatëse. Kuvendi vijoi me shqyrtimin e parë të Projektligjin për treguesit gjeografikë dhe për emërtimet e origjinës, të cilin para deputetëve e prezantoi në emër të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa, duke propozuar që ai të miratohet. Me shumicë votash deputetët përkrahën këtë projektligj.


Kuvendi në vazhdim miratoi në parim edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Projektligjin për Energjinë Termike,Projektligjin për Dizajnin Industrial dhe Projektligjin për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci kreditore. Këto projektligje, në emër të grupeve parlamentare i përkrahën, përkatësisht: Adem Grabovci,Ismet Beqiri, Sasha Milosavleviq dhe Duda Bale. Pas shqyrtimit këto projektligje u miratuan nga Kuvendi në parim.


Në përfundim të miratimit të këtyre pikave, seanca ndërpreu punimet.

 

 

 Vazhdimi i seancës së Kuvendit  Vazhdimi i seancës së Kuvendit  Vazhdimi i seancës së Kuvendit