Lajmet e fundit

Kryekuvendari Veseli: Kuvendi nuk do të jetë pjesë e teatrit

E Enjte, 08.10.2015




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, përkitazi me bojkotimin e fillimit të punimeve të Kuvendit nga ana e partive opozitare, ka mbajtur sot një konferencë për media.


Me këtë rast, gjatë paraqitjes së tij para gazetarëve, z. Veseli ka siguruar qytetarët e Republikës së Kosovës se nuk do të këtë konfrontim fizik në Kuvend, duke siguruar ata, që të mos intrigohen nga pamjet, për arsye se ambienti në sallën e Kuvendit është i qetë.


"Nuk është situatë dramatike, është situatë e qetë. Ka mungesë gatishmërie nga ana e opozitarëve për të bashkëbiseduar, ngase në asnjë formë nuk po e pranojnë komunikimin. Është një situatë e cila më së paku i duhet Republikës së Kosovës. Potencoj se Kuvendi nuk do të jetë pjesë e teatrit, shkas apo pretekst, për të bartur asnjë element, qoftë kënaqësie, apo pakënaqësie, të cilat i kanë për çfarëdo zhvillimi. Kuvendi do të vazhdojë të jetë një vend ku njerëzit e zgjedhur kanë mundësinë lirisht të shprehin qëndrimet e tyre, nëse janë për ose kundër, por jo të jetë pretekst për të dalë në rrugë, për arsye se nuk do të ketë sigurim, nuk do të ketë konfrontim mes vete.


Dëshiroj t'i siguroj qytetarët tanë që të mos intrigohen nga disa pamje, për arsye se ambienti në sallën e Kuvendit është i qetë. Nuk ka as nga kolegët e pozitës, as nga ata të opozitës asnjë frymë konfrontimi, por ka një qëllim politik. Nuk ka frymë konfrontimi dhe kjo nuk është mirë të bartet në familjet tona se dikush po kacafytet apo se ka konfrontim që mund të jetë në përmasa negative. Jam i bindur se as opozita dhe as pozita nuk do ta lejojnë këtë situatë.
Nuk është patriotizëm kjo çka po ndodh dhe as nuk e besoj se kjo do t'i ndihmojë Kosovës. Në qoftë se pretekst janë marrëveshjet që janë nënshkruar në Bruksel, vet fakti se opozita nuk po na lejon mundësinë që të gjithë ne së bashku t'i shprehim rezervat dhe pakënaqësitë, apo edhe përkrahjen që e kemi për marrëveshjen e Brukselit tregon se vërtetë ka një shqetësim se kjo nuk ka të bëj drejtëpërdrejt as me marrëveshjen në Bruksel.


Edhe një herë thërras kolegët tanë opozitarë që për hir të të gjithë qytetarëve, për hir të sakrificës që e kemi pasur shumë të rëndë, si dhe të dinjitetit që kemi trashëguar, të respektojmë njëri tjetrin që të na krijohet mundësia të bashkëbisedojmë në këtë vend", tha kryeparlamentari Veseli, duke përfunduar se do të vazhdojnë punimet e seancës së Kuvendit dhe siguroi sërish qytetarët që të mos shqetësohen, ngase nuk do të këtë konfrontim fizik. Në vijim z. Veseli është përgjigjur edhe në pyetjet e gazetarëve.

Kryekuvendari Veseli: Kuvendi nuk do të jetë pjesë e teatritKryekuvendari Veseli: Kuvendi nuk do të jetë pjesë e teatritKryekuvendari Veseli: Kuvendi nuk do të jetë pjesë e teatrit