Lajmet e fundit
Nga vizita e Komisionit për Shëndetësi në Shqipëri
E Mërkure, 07.10.2015
Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të republikës së Kosovës , nga 4 deri më 6 tetor 2015 ka zhvilluar një vizite zyrtare në Republikën e Shqipërisë, gjatë së cilës realizoi një sërë takimesh, si vijon;
Takim me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, znj. Flora Bovina, pasi e falënderoi z. Meta për mikpritjen shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin aktual mes dy kuvendeve dhe nënvizoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në shëndetësi, duke marrë në konsideratë momentet e vështira ekonomike që po kalon rajoni.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ,z. Meta, duke u uruar mirëseardhje deputetëve të Kosovës në Tiranë, shprehu vullnetin maksimal të Kuvendit të Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, veçanërisht në fushën e shëndetësisë.
Në këtë kuadër të kësaj, z. Meta theksoi se duhet intensifikuar bashkëpunimi i shërbimeve emergjente shëndetësore, veçanërisht në zonat ndërkufitare dhe duhen rritur shkëmbimet e ekspertizës dhe shërbimeve në ato fusha ku Shqipëria ka avancuar më tepër kohët e fundit, siç është rasti i kardio-kirurgjisë.
Në këtë drejtim znj. Bovina vuri në dukje se shkëmbimet mes dy komisioneve parlamentare homologe do të kontribuojnë pozitivisht në bashkërendimin e punës mes dy vendeve.
Gjatë kësaj vizite delegacioni parlamentar i Kosovës pati takime me anëtarët e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësi, me ministrin e Shëndetësisë. z. Ilir Beqaj, me ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. z. Blendi Klosi, me drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm " Nëna Terezë:" Tiranë, si dhe vizitoi Klinikën e Kardiokirurgjisë, Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë dhe Drejtorinë rajonale të Punësimit.
Në këto takime kryesisht është diskutuar rreth thellimit të bashkëpunimit mes dy shteteve, respektivisht mes dy komisioneve parlamentare për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, lidhur me hartimin dhe unifikimin e legjislacionit, përkrahjen dhe bashkëpunimin e sektorit të shëndetësisë , sidomos në ato fusha ku Kosova ka mungesë të kuadrove.
U diskutua edhe funksionimit i shërbimeve emergjente (urgjente) në Shqipëri, si dhe funksionimi i qendrave të aftësimit profesional dhe shkëmbimi i përvojave në mes dy vendeve.