Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 06.10.2015
Ndonëse pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve opozitar, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, mbajti sot mbledhjen e radhës. Duke shprehur keqardhjen për mospjesëmarrje të përfaqësuesve të opozitës në mbledhje, kryetari i komisionit, Muhamet Mustafa, vlerësoi se prezenca e tyre do të ndikonte në të mirë të çështjeve të ngritura.
Në vijim, komisioni shqyrtoi rekomandimet dhe konkluzionet lidhur me pozitën aktuale të prodhuesve dhe përpunuesve në industrinë e qumështit.
Lidhur me këtë, kryetari i komisionit, Mustafa, njoftoi se rekomandimet janë formuluar pas analizës së dy raporteve nga ekspertë të fushës.
Rekomandimet, tha ai, kanë për qëllim krijimin e një konkurrence të ligjshme dhe stimulimin edhe më të madh të prodhuesve vendor.
Po ashtu, vijoi më tej, Mustafa, me rekomandimet drejtuar ministrive përkatëse dhe faktorëve të tjerë relevant, synohet zhvillimi sa më i madh i këtij sektori, si mundësi e krijimit të vendeve të reja të punës.
Anëtarët e komisionit vlerësuan se rekomandimet janë të dobishme dhe në të mirë të industrisë së prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit, ndërkaq, ato i plotësuan edhe me propozime të tjera, të cilat u përkrahën unanimisht.
Në vijim të mbledhjes, komisioni analizoi edhe realizimin e planit të punës.
Lidhur me këtë, komisioni vlerësoi se deri më tani, plani i paraparë i punës, është realizuar në masë të kënaqshme, ndërkaq, vendosi për mbajtjen e disa debateve dhe realizimin e disa vizitave në teren.