Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Hënë, 05.10.2015




Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare këtë të enjte, gjatë të cilës do të shqyrtohen pika të papërfunduara nga mbledhjet e kaluara.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar.

Në vazhdimin e seancës të së enjtes, për herë të parë do të shqyrtohen Projektligji për Zonën e Rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij dhe Projektligji për treguesit gjeografikë dhe për emërtimet e origjinës, ndërsa bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Letërnjoftimin.

Në vazhdim Kuvendi pritet të shqyrtojë edhe dy projektligje që lidhen me marrëveshjeve ndërkombëtare: Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut dhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e Bashkëpunimit për Zhvillim: "KSV/018: Mbështetje Institucionale dhe Teknike për Sistemin e Furnizimit me Ujë në Rajonin e Mitrovicës".

Po ashtu, do të bëhet shqyrtimi i parë edhe i katër projektligjeve të tjera: Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Projektligjit për Energjinë Termike, Projektligjit për dizajnin industrial dhe Projektligjit për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.

 

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit