Lajmet e fundit
Delegacioni i Grupit të Grave Deputete vizitoi Gjakovën
E Premte, 02.10.2015
Një delegacion i Grupit të Grave Deputete në përbërje: Blerta Deliu-Kodra,kryetare e GGD-ës dhe Teuta Haxhiu, Safete Hadërgjonaj, Sala Berisha- Shala dhe Xhevahire Izmaku,anëtare,vizituan sot, Komunën e Gjakovës. Delegacioni i GGD-ës u prit nga kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari - Lila dhe Grupi i Grave Asambleiste të Gjakovës.
Fillimisht, kryetarja e GGD-ës, znj. Blerta Deliu-Kodra, tha se GGD-ja si grup gjithëpërfshirës ka për synim fuqizimin e gruas në të gjithë sektorët. Në vijim ajo theksoi se znj. Kusari- Lila, duke qenë gruaja e parë kryetare komune, me përkushtimin dhe seriozitetin e saj është duke u angazhuar të zgjidhë problemet e përditshme të qytetarëve, duke dëshmuar se gruaja di të jetë e vendosur në parime.
"Ne vlerësojmë punën tuaj të mirë që po e bëni në të mirë të qytetarëve të Gjakovës, në zhvillimin ekonomik dhe në fuqizimin e gruas në shoqëri", theksoi ajo.
Znj. Kusari-Lila foli për angazhimet e saj si kryetare e Gjakovës, posaçërisht për përkushtimin e saj që të përfshijë tërë potencialin e gruas në gjithë sektorët e Komunës. Znj Kusari-Lila falënderoi posaçërisht GGD-ën për përkrahjen e përhershme që i dhanë asaj, si kryetare të komunës. Dy palët u dakorduan që të punojnë bashkërisht për fuqizimin e gruas në të gjitha nivelet.