Lajmet e fundit
Kadri Veseli: Trepça do zgjidhje urgjente që të jetë forcë shtytëse e zhvillimit të Kosovës
E Premte, 02.10.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot ka zhvilluar një vizitë në ndërmarrjen "Trepça", gjatë të cilës ka takuar menaxhmentin dhe punëtorët e saj.
Kryetari Veseli gjatë takimit me drejtorin e "Trepçës", Ahmet Tmavën dhe drejtuesit tjerë të lartë, u interesua për gjendjen aktuale të këtij gjiganti industrial, kushtet e punës si dhe kapacitetet prodhuese të saj.
Në takim u fol rreth strategjisë së re për "Trepçën" e cila do të mundësoj rivitalizimin e kombinatit. Këtu u tha se duhet përshpejtuar dinamika e hartimit të kësaj strategjie, që të dilet nga situata aktuale e gjigantit metalurgjik.
Kryetari Veseli theksoi se menaxhmenti dhe përfaqësuesit e punëtorëve duhet të jenë pjesë e hartimit të strategjisë. Duhet krijuar kushtet që deri në krijimin e statusit final për "Trepçën", puna të vijojë pa ndërprerë, theksoi Kryetari Veseli, duke vënë pah pasurinë e madhe të cilën e disponojmë këtu si shtet, por duhet gjetur sa më shpejt mënyra për konkretizimin në vlerë për qytetarët tanë.
"Trepça ishte në të kaluaren pjesë e krenarisë tonë por sot duhet bërë më shumë të gjithë ne së bashku, në mënyrë që Kosova të përfitojë nga këto resurse të jashtëzakonshme", theksoi kryteari i Kuvendit, Kadri Veseli. Më tej, ai theksoi se Trepça do të jetë forcë shtytëse e zhvillimit të Kosovës dhe përmirësimit të bilancit të saj tregtar. Z. Veseli theksoi po ashtu se Kuvendi i Kosovës do të bashkëpunoj ngusht me Qeverinë dhe faktorët tjerë relevant për përmirësimin e gjendjes aktuale në Kombinat.
Në takim u diskutua nevoja e pëzgjedhjes së bordit të AKP-së i cili i hap rrugë zhvillimit, sidomos komercializimit të mbetjeve industriale.
Në takim u fol për nevojën që sa më shpejtë të bëhet definimi i statusit të Kombinatit, modalitetet më të mira për rivitalizimin eventual të "Trepçës", duke marrë parasysh partneritetin publik-privat por edhe privatizimin e njësive të cilat nuk janë aktivizuar deri më tash.
Drejtori Tmava e quajti vizitën e Kryekuvendarit Veseli si shumë inkurajuese dhe kthesë pozitive për "Trepçë" duke potencuar se Trepça po hyn në fazën e sqarimit të statusit të saj.
Pas takimit, Kryetari Veseli së bashku me menaxhmentin vizitoi edhe Elektrolizën e zinkut dhe u njoh nga drejtuesit e saj me kapacitetet prodhuese dhe synimet e tyre për të ardhmen.