Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 01.10.2015
Vazhdimi i tretë i mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, (e nisur më 17 shtator), është pamundësuar edhe sot nga përfaqësuesit e opozitës.
Angazhimi i kryeparlamentarit Veseli, i cili u përpoq të bindë përfaqësuesit opozitar që mbledhja të vijojë dhe të krijohen kushte për tejkalimin e kësaj situate, nuk solli rezultate, sepse opozita këmbënguli në ndërprerjen e saj.
Pas kësaj, kreu i Kuvendit iu drejtua deputetëve, duke nënvizuar se sjellja e opozitës nuk është sjellje demokratike dhe kërkoi që t'i hapet rrugë mundësisë së debatit.
Pas kësaj, në emër të të tria subjekteve opozitare , (VV, AAK dhe NISMA-s), foli deputeti Glauk Konjufca, i cili me këtë rast, duke përdorur mikrofonin e kryeparlamentarit shpalosi qëndrimin e tyre.
Ai tha se opozita nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj derisa kryeministri i vendit nuk tërheqë nënshkrimin e tij lidhur me marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë, e që ka të bëjë me krijimin e asociacionit të komunave.
Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së foli kryetari i këtij grupi, Adem Grabovci.
Ai nënvizoi se grupi që ai përfaqëson, ka qenë dhe është gjithherë për debate parlamentare në Kuvend, ndërkaq, kritikoi sjelljen e opozitës si të dëmshme për vendin.
Në favor të debatit u shpreh edhe përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. Ai kërkoi nga kryeparlamentari krijimin e kushteve për vijim të mbledhjes, ndërkaq, u shpreh se debati në Kuvend, është e vetmja mundësi për tejkalimin e situatës.
Pas kësaj, kreu i Kuvendit Veseli, ftoi në takim përfaqësuesit e grupeve parlamentare, ndërkaq, njoftoi për një pauzë prej 30 minutash.
Mbledhja e Kuvendit: vazhdimi pas pauze
Pas mbarimit të pauzës, opozita vijoi të qëndrojë pranë foltores, duke bërë të pamundur vijimin e mbledhjes.
Në këto rrethana, kreu i Kuvendit, Veseli, e shpalli të përfunduar takimin e sotëm, ndërkaq, u shpreh se atmosfera e krijuar nuk përkon me sjellje të dinjitetshme dhe parlamentare, ashtu siç do duhej të ishte në Kuvendin e Kosovës.
Ai po ashtu njoftoi, se është anuluar edhe mbledhja e Kuvendit, e paraparë për nesër.