Lajmet e fundit
Kryetari Veseli mori pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të shkollës model në Mitrovicë
E Mërkure, 30.09.2015
Kryetari Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të shkollës ‘model' për nivelin parafillor, fillor dhe të mesëm të ulët, në Lagjen Bair në Mitrovicë.
Në fjalën e tij të rastit, kryetari Veseli theksoi rëndësinë e arsimit, si themel i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe bazë e mirëqenies për qytetarët.
"Sot në Mitrovicë po hedhim gurthemelin e një shkolle model e rëndësishme jo vetëm për Mitrovicën, por për gjithë Kosovën, të modelit evropian, duke synuar të kthejmë reputacionin e këtij qyteti, si qytet të arsimit, kulturës, zhvillimit dhe prosperitetit në nivel vendi, ashtu siç ishte dje, mostër e zhvillimit industrial të vendit tonë", tha në fjalën e tij kryetari Veseli.
Krahas kryetarit të Kuvendit, në vënien e gurthemelit të kësaj shkolle morën pjesë ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, deputeti Enver Hoxhaj, drejtues të tjerë institucionalë, nxënës e arsimtarë, si dhe qytetarë të shumtë të Mitrovicës.