Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Marte, 29.09.2015




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Besnik Bislimi, u shqyrtua në parim Projektligji për Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm. Me këtë rast, Komisioni ka formuar grupin e punës.

Në vijim, Komisioni shqyrtoi dhe aprovoi raportin e Këshillit Kosovar për Trashëgimi Kulturore (KKTK), i cili raport ishte me opinion të pakualifikuar. Përfaqësuesja e KKTK-së znj. Xhejlane Hoxhaj, u zotua se edhe rekomandimet të cilat janë dhënë në këtë vit nga ZAP-i do të implementohen me përpikëri, ku si rrjedhojë komisioni aprovoi raportin dhe vendosi që mos ta procedoj në Kuvend, pasi që i njëjti kishte një opinion të pa modifikuar.

Ndërkaq, sa i përket shqyrtimit të Raportit të Auditimit të Pasqyrat Vjetore Financiare të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për vitin 2014, si dhe Raportit të Auditimit të Pasqyrat Vjetore Financiare te Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, për vitin 2014, në mungesë të përfaqësuesve të këtyre institucioneve këto pika janë shtyrë për diskutim javën e ardhshme.

Në vazhdim Komisioni diskutoi për vizitën studimore në Berlin (Gjermani), organizuar nga projekti "Reforma e Sistemeve të Financave Publike në Kosovë", që zbatohet nga GIZ, në emër të Ministrisë Federale Gjermane për Zhvillim Ekonomik dhe Bashkëpunim (BMZ).