Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Marte, 29.09.2015
Të enjten, më 1 tetor, në orën 10:00, vazhdon mbledhja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me pikat e papërfunduara nga mbledhja e 17 shtatorit, ndërsa një ditë më pas, mbahet mbledhje e re.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar.
Në vazhdimin e seancës të së enjtes, do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për treguesit gjeografikë dhe për emërtimet e origjinës, ndërsa për herë të dytë Projektligji për Letërnjoftimin. Në vazhdim, do të emërohen anëtarët e Këshillit për Ndihmë Juridike Falas dhe një anëtar i Komisionit për Kërkesa Pronësore. Në fund, do të formohet Komisioni ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të RTK-së nga komuniteti serb.
Lidhur me interpelancën e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, kryeparlamentari Veseli e njohu Kryesinë me kërkesën e parashtruesit, deputetes Donika Kadaj-Bujupi, për tërheqje të saj. Rrjedhimisht, kjo pikë u hoq nga rendi i ditës. U vendos, po ashtu, që të mos jetë pikë e rendit të ditës të kësaj mbledhjeje as raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me Marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015.
Në mbledhjen e të premtes, ndërkaq, Kuvendi pritet të ketë një agjendë të ngjeshur legjislative. Kështu, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe kohës për pyetje parlamentare, do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut, si dhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e Bashkëpunimit për Zhvillim: "KSV/018: Mbështetje Institucionale dhe Teknike për Sistemin e Furnizimit me Ujë në Rajonin e Mitrovicës".
Në vazhdim, do të shqyrtohen për herë të parë pesë projektligje: Projektligji për Zonën e Rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Projektligji për Energjinë Termike, Projektligji për dizajnin industrial, si dhe Projektligji për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore. Më pas, deputetët do të shqyrtojnë raportin e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 014 dhe pritet të emërojnë një anëtar të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës. Po ashtu, do të bëhet edhe zëvendësimi i anëtarëve në komisionet parlamentare, sipas propozimeve të grupeve parlamentare.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe kërkesën e deputetes Teuta Haxhiu, mbështetur edhe nga gjashtë deputetë të tjerë, për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të hetonte pasurinë e kryeshefit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha. U konstatua se kërkesa nuk ka bazë kushtetuese dhe ligjore.