Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Hënë, 28.09.2015
Pozita e prodhuesve dhe përpunuesve në industrinë e qumështit, ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit.
Duke folur për rëndësinë e industrisë së prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit, kryetari i komisionit Mustafa, vuri në spikamë potencialet që kanë këta sektorë në krijimin e vendeve të punës.
Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj industrie, njoftoi në vijim Mustafa, komisioni ka angazhuar ekspertin e fushës Dr. Sc. Mentor Thaçi, i cili ka përgatitur raportin, përmes të cilit i ishte bërë analizë gjendjes në këtë sektor. Po ashtu, ai njoftoi edhe për raportin që ka bërë INDEP-i, e i cili është fokusuar në mundësitë e plasimit sa më madh të produkteve të qumështit në tregun e brendshëm.
Hartuesi i raportit, Dr. Sc. Thaçi, ndërkaq, shkoqiti pjesë të raportit, me interes për të pranishmit. Me këtë rast ai foli për sektorin blektorial në Kosovë, sektorin e qumështit, si dhe përpunimin e tij, konsumin e qumështit në Kosovë, bilancin tregtar në sektorin e qumështit dhe çështje të tjera që i përkasin kësaj fushe.
Në raportin e paraqitur, nga Thaçi, po ashtu u fol edhe për sfidat që përballen prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit, ndërkaq, në fund ai paraqiti edhe rekomandimet, me qëllim të përmirësimit të gjendjes në këtë sektor.
Me raportin, nuk u pajtua përfaqësuesi i shoqatës së Prodhuesve dhe Përpunuesve të Qumështit në Kosovë, Ramadan Memaj.
Ai vlerësoi se raportit i mungon një pasqyrim real i gjendjes së tregut të brendshëm. Me këtë rast ai vuri në dukje shitjen e disa produkteve me prejardhje bimore, të cilat shiten si produkte të qumështit. Këto produkte, nënvizoi ai, krijojnë konkurrencë joreale dhe e dëmtojnë prodhuesin vendor. Në vijim të fjalës së tij, ai bëri thirrje që të merren masa për zbatimin e një mori ligjesh që sigurojnë konkurrencë të mirëfilltë në treg.
Përfaqësuesi i INDEP-it, Dardan Abazi, ndërkaq, duke paraqitur raportin lidhur me këtë problematikë, vuri në dukje numrin e madh të produkteve të importuara të qumështit, ndërkaq, shprehu habinë lidhur me një raport nga Doganat e Kosovës, sipas të cilit, nga numri i përgjithshëm i produkteve të importuara, 36% të tyre janë të përshkruara si produkte me emërtimin "të tjera". Me këtë përshkrim të tillë, vlerësoi ai, ne nuk arrijmë të kuptojmë se për çfarë produktesh të qumështit bëhet fjalë.
Përfaqësuesi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Valdet Gjinovci, pasi foli për rëndësinë e këtij sektori në ekonomin e vendit, njoftoi për veprimet që janë duke ndërmarr për organizimin e një kampanje vetëdijësuese, e cila ka për qëllim promovimin e produkteve vendore.
Në vijim folën edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, të cilët njoftuan për hapat që ka ndërmarrë ministria për rregullimin sa më të mirë të këtij sektori.
Me këtë rast ata njoftuan për krijimin e një grupi të veçantë në kuadër të Ministrisë, i cili do të analizojë dhe do t'iu gjendet pranë prodhuesve dhe përpunueseve të qumështit, ndërkaq, rëndësi të veçantë u shprehën se do t'i kushtojnë zbatimit të ligjeve.
Anëtarët e komisionit, ndërkaq, vlerësuan se raportet e paraqitura ofrojnë pasqyrë reale lidhur me punën dhe zhvillimet në sektorin e prodhimit dhe përpunimit të qumështit. Anëtarët e komisionit po ashtu paraqitën edhe vërejtjet e tyre ndaj institucioneve relevante për gjendjen e cila aktualisht është në industrinë e prodhimit dhe përpunimit të qumështit.
Pas kësaj, kryetari i komisionit, Mustafa tha se në mbledhjen e radhës do të nxirren në votim rekomandimet e dala nga takimi i sotëm.