Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi delegatin apostolik të Vatikanit për Republikën e Kosovës, Juliusz Janusz
E Hënë, 28.09.2015
Sot, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi takim me Juliusz Janusz, delegat apostolik i Vatikanit për Republikën e Kosovës. Në takimi u bisedua për një mori çështjesh që kanë të bëjnë me relacionet në mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë, të cilat gjithmonë kanë pasur kontinuitet.
Duke evokuar historinë e këtyre relacioneve, kryetari Veseli theksoi se shqiptarët janë populli i vetëm në Ballkan që kanë mbajtur gjallë krishterimin katolik, edhe përkundër vështirësive të mëdha dhe se në momente të vështira për popullin tonë, Selia e Shenjtë ka mbështetur Kosovën, sidomos në vitet '90, nën drejtimin e Papa Gjon Palit të Dytë.
Nga ana e tij, delegati apostolik i Vatikanit për Republikën e Kosovës, z. Janusz, theksoi se Selia e Shenjtë e njeh realitetin e ri në Kosovë dhe mbështetë zhvillimet pozitive në vendin tonë.
Në këtë kontekst, ai shtoi se ne i përcjellim zhvillimet në Kosovë, e cila ka një potencial të madh zhvillimi me faktin se ka një popullatë të re.
Në takim u bisedua edhe për çështjen e pranimit të Kosovës në UNESCO dhe me këtë rast kryetari Veseli kërkoi mbështetjen e Vatikanit për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm shumë të rëndësishëm ndërkombëtar.
Delegati papal, nga ana e tij, u shpreh se Selia e Shenjtë ka mirëpritur letrën e përbashkët të bashkësive fetare të Kosovës, ku i kërkohet kësaj Selie mbështetja për këtë anëtarësim.
Më tutje ai shtoi se populli shqiptar ka një traditë të fuqishme të tolerancës, bashkëjetesës e bashkëpunimit mes religjioneve, e se mesazhi i kësaj tradite është i njëjtë me mesazhin qendror që synon të përçojë sot në botë edhe vetë Kisha Katolike nën drejtimin e Papa Françeskut.
Takimi i sotëm i kryetarit Veseli me delegatin papal është i pari i këtij niveli që ka pasur Kuvendi i Kosovës me Selinë e Shenjtë.