Lajmet e fundit

Delegacioni i PE-së pritet nga drejtues komisionesh dhe kryetarë të grupeve parlamentare

E Premte, 25.09.2015




Delegacioni i Komisionit për Politikën e Jashtme i Parlamentit Evropian , i kryesuar nga nënkryetarja e PE-së, Ulrike Lunaçek, gjatë vizitës në Kosovë pati sot takim të përbashkët me kryetarin e Komisionit për punë të Jashtme, Hoxhaj, me nënkryetarin e Komisionit për Integrime Evropiane, Haliti dhe me kryetarët e grupeve parlamentare.

Duke u uruar mirëseardhje në Kosovë parlamentarëve e evropianë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili e drejtonte takimin ka falënderuar PE-në, për gjithë punën e vyer që ka bërë për integrimet evropiane të vendit tonë.

Në fjalën e saj hyrëse për këtë takim, nënkryetarja e PE-së, Ulrike Lunaçek, ka shprehur kënaqësinë për praninë e përfaqësuesve të të gjithë spektrit politik të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. Ajo, ndërkaq, duke marrë shkas nga tensionimet politike në seancën e fundit të Kosovës, ka bërë ftesë për dialog ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kuvend për të gjetur rrugën e komunikimit për tejkalimin e krizës. "Unë vetë vij në politikë nga radhët e opozitës dhe kam hedhur edhe vezë në protesta, por vezët nuk hedhen në Parlament", ka theksuar Lunaçek. Ajo pastaj ka folur për çështjet më rëndësi për Kosovën, siç janë: procesi i liberalizimit të vizave dhe arritja e marrëveshjes së asocim-stabilizimit, për të cilat tha se PE-ja punon seriozisht që të përmbushen me sukses. Mysafirja, ndërkaq, ka pohuar se sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, Kosova ka përmbushur shumicën e kushteve të kërkuarave, por nevojitet ende punë për përmbushjen edhe tetë kushteve të fundit që kanë të bëjnë gjyqësorin, pastrimin e parave, krimin e organizuar, azilkërkuesit nga Kosova etj. Lunaçek ka theksuar se e kupton ndjenjën e kosovarëve të të qenit të izoluar, por ka pohuar se azilkërkuesit nga Kosova nuk do të sigurojnë strehim refugjati në vendet e BE-së. Sa i përket marrëveshjeve të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nënkryetarja e PE-së ka apeluar që marrëveshjet, sidomos ajo që ka të bëjë me Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, të lexohen me korrektësi dhe jo sipas dëshirave dhe momenteve.

Kryetarja e GP të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, duke falënderuar PE-në për mbështetje të vazhdueshme për Kosovën, ka ngritur shqetësime për Bashkësinë e komunave serbe dhe për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, të cilat veprime, siç është shprehur ajo, dëmtojnë rënd sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Ajo ka shprehur mospajtimin e subjektit që e përfaqëson dhe të opozitës në përgjithësi për praktikat e Qeverisë së Kosovës që të raportojë pasi janë marrë vendimet dhe janë arritur marrëveshjet e dëmshme, por jo para tyre dhe gjatë procesit negociator. Duke folur për demarkacionin me Malin e Zi, ajo ka theksuar se pa ndonjë studim shterues Malit të zi i janë dhënë mbi 10 mijë hektarë tokë të Kosovës. Sa i përket procesit vullnetit për integrimet evropiane të vendit tonë, ajo ka pohuar se ka unanimitet të plotë ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës.

Ismet Beqiri, kryetar i GP të LDK-së, në fjalën e tij është përqendruar kryesisht në ngjarjet e tensionuara të seancës së fundit, duke e quajtur veprim të papranueshëm gjuajtjen e kryeministrit Mustafa me vezë nga deputetët e opozitës. Ai e ka akuzuar opozitën për tensionimin e gjendjes në Kuvend dhe në Kosovë. Lidhur me kërkesat e opozitës për tërheqjen e nënshkrimit kryeministrit nga marrëveshjet Brukselit dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Beqiri ka theksuar se partnerët e koalicionit kanë marrë obligime ndërkombëtare, të cilat gjithsesi duhen përmbushur.

Kryetar i GP "Lista Serbe", Slavisha Simiq, ka shprehur kënaqësinë që delegacioni i PE-së së pari ka vizituar Beogradin. Ai tutje ka pohuar se pjesa veriore e Kosovës, nga vjen ai, e në të cilën jetojnë rreth 95 për qind e serbëve të Kosovës, nga 2008 e deri në këtë Legjislaturë, nuk kanë qenë të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. "Si rezultat i bisedimeve të Brukselit, aktualisht kemi përfaqësuesit legjitim serbë në institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës", ka thënë Simiq. Ai ka qenë i prerë se Bashkësia e komunave serbe krijon siguri tek serbët e Kosovës dhe se marrëveshjet e Brukselit ndikojnë pozitivisht për integrimin evropian të Kosovës, ndërkaq është shprehur kundër veprimeve të opozitës në Kuvend dhe më gjerë.

Adem Grabovci, kryetar i GP të PDK-së, duke u ndërlidhur me disa procese që e kanë determinuar jetën politike në Kosovë, ka theksuar se krijimin e Gjykatës Speciale në Kosovë e konsideron të dëmshëm për luftën çlirimtare të Kosovës, por të cilën ai me shumicën e bashkëpartiakëve të tij i kanë dhënë përkrahje , pikërisht për të ardhmen më të mirë të vendit dhe kultivimin e raporteve të mira me miqtë ndërkombëtarë që na kanë përkrahur. Ai ka shprehur shqetësim për eksodin e shumë qytetarëve të Kosovës për shkak të izolimit ndërkombëtar të Kosovës dhe zhvillimit të pamjaftueshëm ekonomik të saj. Ai është shprehur gjithashtu se Asociacioni i komunave me shumicë serbe rrezikon ta ndajë Kosovën në baza nacionale, kurse ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me moszbatimin nga ana e Serbisë të marrëveshjeve të arritura në bisedimet e Brukselit.

Kryetari i GP Vetëvendosje!, Glauk Konjufca, duke e falënderuar PE-në për angazhimet që ka për Kosovën, ka shprehur kënaqësinë që në Kuvendin e Kosovës dhe në jetën politike të vendit nuk ka asnjë subjekt politik që është kundër integrimeve evropiane të Kosovës. Ngjarjet e tensionuara fundit në Kuvend ,ndërkaq, Kon jufka i ka quajtur të pashmangshme, për shkak të marrëveshjeve të dëmshme, me pasoja largvajtëse për vendin tonë; për shkak të mostransparencës së plotë të procesit të bisedimeve; si dhe për shkak të trysnisë së qeverisë mbi Kuvendin dhe deputetët. "Kosova nga një Republikë parlamentare po shndërrohet në një diktaturë qeveritare" ,ka theksuar ai, duke e ilustruar këtë edhe me futjen në rend dite për të dytën të Gjykatës së Dhomave të Specializuara, dhe miratimin e saj , pasi që deputetët më parë kishin votuar kundër saj. Bashkësinë serbe, ose "Zajednicën", siç e quajti ai, e vlerësoi pushtet të tretë në Kosovë, me prerogativa të institucioneve qendrore të Kosovës dhe i kontrolluar çdo herë nga regjimi i Beogradit.

Në pyetjen e shefes së GP "NISMA", Valdete Bajrami se a rrezikon që nënshkrimi i MSA-së të mbetet peng i zhvillimeve politike në Kosovë e më gjerë, përfaqësuesit e PE-së janë shprehur optimist se marrëveshja mund të nënshkruhet në pjesën e parë të viti 2016, por nuk kanë qenë shumë të sigurt nëse kjo vërtetë do të ndodhë.

Duke e quajtur Kuvendin element jetësor të demokracisë së një vendi, kryesuesi i delegacionit të PE-së për marrëdhënie me Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë, Tonino Picula, i cili në një pjesë të takimit e ka kryesuar delegacionin e PE-së, ka theksuar se duhet përforcuar presioni parlamentar për kontrollin e Qeverisë. " Më keq se në Kuvend me tensione është një Parlament apatik ", ka thënë Picula, duke u shprehur i bindur se për një parlament të një vendi në tranzicion është më mirë të shkëmbehen vezë, se sa plumba.

"Shpresojmë të takohemi në një formacion tjetër pas nënshkrimit të MSA-së", është shprehur kryeparlamentari Veseli duke e përmbyllur takimin.

 

 Delegacioni i PE-së pritet nga drejtues komisionesh dhe kryetarë të grupeve parlamentare Delegacioni i PE-së pritet nga drejtues komisionesh dhe kryetarë të grupeve parlamentare