Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim,Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport

E Mërkure, 23.09.2015




Çështjet aktuale të arsimit në Kosovë, me theks të veçantë, fillimi i vitit shkollor, ishin tema kryesore të raportimit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, kryesuar nga Nait Hasani, kryetar i Komisionit. Në fillim të fjalës së tij z. Arsim Bajrami theksoi se viti shkollor në Kosovë ka startuar me sukses, në këtë vështrim ai përmendi në fillim faktin se kurikula që është evropiane po i përshtatet tregut të punës. Në vijim ai përmendi edhe sukseset tjera në arsimin kosovar,si:menaxhimi i mirë në institucionet shkollore,ndërtimi i strategjisë së cilësisë së procesit mësimor,realizimi i performancës, pastaj sendërtimi i standardeve evropiane të arsimit profesional, që dëshmohet edhe nga fakti se janë promovuar 150 tekste, monitorimi i zgjedhjes së drejtorëve,modernizimi i shkollave,rishikimi i legjslacionit, aplikimi i garave në procesin mësimor etj. Duke folur për sfidat me të cilat përballet arsimi në Kosovë, ai theksoi se problem i ndejshëm tash për tash është fakti se një pjesë e ndërtesave shkollore janë shumë të vjetruara, madje ekziston gjithnjë rreziku që edhe të rrënohen. Por, në të njëjtën kohë po ndërtohen edhe shkolla moderne me pajisje të duhura. Ai i bëri një vështrim edhe çështjes së rafteve për libra të nxënësve, të cilat janë të do domosdoshme, ndërsa për të mirë përmendi rastin e Komunës së Prishtinës, ku në këtë aspekt është arritur shumë me mjete vetjake të Komunës.

Në debatin që pasoi lidhur me këto ecuri në arsimin kosovar, kishte fjalë mirënjohjeje, por u bënë edhe shumë vërejtje, sidomos lidhur me disa raste , si në Malishevë, ku në disa klasa punojnë edhe nga dy mësimdhënës,pastaj fakti që botohen libra më shumë se sa është numri i nxënësve, kurse në anën tjetër krijohen stoqe librash të përdorura, që hidhen në mbeturina, të cilat do të mund të përdoreshin nga nxënësit e jo të blihen pa nevojë tekste të reja.

Duke folur për çështjen e kuadrit mësimor ai tha se shkolla është depolitizuar, ndaj tash humb vendin e punës vetëm mësimdhënësi që nuk tregon përformancë në punë.

Ministri Bajrami foli edhe rreth çështjes së regjistrimit të studentëve nga komunitetet jo shumicë, duke premtuar se kuotat e parapara për regjistrim do të plotësohen, ndërkaq do të përfillet edhe premtimi për pranimin e studentëve të rinj nga Lugina e Preshevës dhe Malit të Zi.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Arsim,Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport