Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Mërkure, 23.09.2015
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Besnik Bislimi, kryetar i Komisionit, shqyrtoi një varg raportesh e rekomandimesh .
Fillimisht Komisioni shqyrtoi raportin e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, i përfaqësuar nga z. Dritan Gjonbalaj. Pas shpjegimit të ofruar nga Auditori i Përgjithshëm, se raporti i këtij Agjencioni kishte një opinion të pamodifikuar me disa të gjetura minore të cilat (Agjencioni) është zotuar se do t'i përmirësojë, Komisioni e përgëzoi atë për punën e bërë dhe aprovoi njëzëri raportin e këtij e prezantuar.
Lidhur me Projektligjin e Auditorit të Përgjithshëm, Komisioni kërkoi që Ministria e Financave, si sponzorizues i këtij ligji, të ofrojë një prezantim të këtij ligji dhe pastaj në takimin e ardhshëm të Komisionit të shqyrtohet kjo pikë.
Në takim u shqyrtuan edhe rekomandimet e nxjerra nga ky Komision lidhur me Ministrin e Integrimeve Evropiane , nga e cila është kërkuar që të përgatisë një plan të veprimit për implementimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm brenda një afati prej tre muajve. Këto rekomandime, si të tilla, u aprovuan njëzëri nga Komisioni.
Komisioni gjithashtu shqyrtoi dhe aprovoi rekomandimet lidhur me raportin e performancës për mirëmbajtjen dhe servisimin e automjeteve zyrtare për këto institucione: Ministrinë e Administratës Publike, Doganat e Kosovës, Policinë e Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, të cilat do t'i përcillen seancës plenare.
Lidhur me raportin e Këshillit Kosovar për Trashëgimi Kulturore, raportin e Hekurudhave të Kosovës dhe raportin e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike, në mungesë të përfaqësueseve të këtyre institucioneve, Komisioni vendosi që këto pika të shtyhen për takimin e radhës.
Anëtarët e Komisionit diskutuan edhe lidhur me vizitën studimore që kishin në Bundestagun Gjerman, e cila ishte financuar dhe përkrahur nga GIZ-i Gjerman.