Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim,Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport

E Mërkure, 23.09.2015




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, kryesuar nga Nait Hasani, mbajti sot një dëgjim publik lidhur me Projektligjin për kinematografinë, i cili si theksoi kryetari i Komisionit, Nait Hasani, tashmë ka kaluar në lexim të parë. Projektligji për kinematografinë synon të rregullojë veprimtarinë, organizimin,financimin,prodhimin, distribuimin, shfaqjen e veprave kinematografike, bashkëpunimin ndërkombëtar, inkurajimin e krijimtarisë, si dhe mbrojtjen e trashëgimisë kinematografike të Kosovës. Projektligji kishte zgjuar interesim të madh te komuniteti i artit filmor, që shihej edhe nga pjesëmarrja mjaft e gjerë e krijuesve nga fusha e kinematografisë.

Diskutuesit vunë në spikamë disa mangësi të Projektligjit, ndaj angazhoheshin për evitimin e tyre dhe pasurimin e Projektligjit me zgjidhje sa më adekuate, në të mirë të zhvillimit sa më të favorshëm të kësaj veprimtarie. Në këtë frymë dolën shumë propozime që kishin për qëllim saktësimin, ose edhe ndryshimin e disa neneve. Vëmendja përqendrohej sidomos në fushën e terminologjisë, që ajo të jetë sa më adekuate, për të mos lejuar ndonjë paqartësi, ose huti. U propozua që Qendra Kinematografike e Kosovës, të quhet Qendra e filmit të Kosovës, sepse gjatë përkthimit të emërtimit-kinematografi, në gjuhën angleze, kjo fjalë nënkupton kamerën e kameramanët e jo filmin. Kishte propozime që edhe procesi i zgjedhjes së Këshillit drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës të decentralizohet. Nga një diskutues u theksua se me këtë Projektligj, po shuhet "Kosovafilmi", që ishte themel i kinematografisë kosovare, duke propozuar që kjo shtëpi filmore të gjejë vend në këtë Projektligj dhe të vazhdojë veprimtarinë.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Arsim,Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport