Lajmet e fundit

Komisioni për Integrime Evropiane priti një delegacion të senatorëve italianë

E Premte, 18.09.2015




Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga nënkryetari i Kuvendit dhe njëherësh anëtar i këtij Komisioni, Xhavit Haliti, priti sot në një takim një delegacion të senatorëve italianë, prirë nga kryesuesi i  delegacionit të senatorëve italianë në Komisionin për Politika të BE-së, z. Vannino Chiti . Pasi shprehu kënaqësinë për këtë takim, z. Xhavit Haliti theksoi se Kosovën dhe Italinë i shoqërojnë raporte shumë të mira, ndaj Parlamenti i Kosovës është i interesuar të kultivojë edhe më këto marrëdhënie. Bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve duhet të jetë i përhershëm, pasi edhe interesat ndërmjet tyre janë të shumta. Italia,tha z. Haliti, i ka dhënë mbështetje Kosovës edhe në rrugën e pavarësisë. Në vijim ai foli edhe për interesimin e Kosovës për t’ u anëtarësuar në Bashkimin e Evropian, duke u shprehur se integrimi evropian i Kosovës është edhe në interes të Italisë. Duke përmendur pengesat që dalin në rrugën e integrimit evropian, ai përmendi faktin që ende edhe 5 shtete të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e kjo po reflektohet negativisht në shumë segmente, sidomos në çështjen e liberalizmit të vizave. Në këtë frymë, ai kërkoi një angazhim më të madh të Italisë, që të ushtrojë  ndikim te këto shtete, që edhe ato ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Në vazhdim të fjalës së tij z. Haliti u përqendrua në mundësitë që ekzistojnë për thellim të bashkëpunimit  ndërmjet dy shteteve, sidomos në lëmin ekonomik, duke ditur resurset e mëdha ekonomike të Kosovës, në xehetari,energjetikë, bujqësi, etj.,që do të kishin efekt  në  zhvillimin më të shpejtë  ekonomik të Kosovës, e cila ballafaqohet më një gjendje të rëndë ekonomike.

Z. Xhavit Haliti pastaj foli edhe për çështjen e themelimit të Gjykatës Speciale për Kosovën, e cila solli një atmosferë jo të këndshme, duke theksuar se bashkëpunimi me Gjykatën do të jetë në nivel.

Kryesuesi i delegacionit të senatorëve italianë në Komisionin për Politika të BE-së, z. Vannino Chiti shprehu falënderim për fjalët dhe pritjen e ngrohtë. Ndërkaq, duke i bërë një vështrim çështjes së integrimit evropian, theksoi se të gjitha vendet e Ballkanit duhet të jenë anëtare të Bashkimit Evropian, ky nuk është interes vetëm i Italisë, por i të gjitha shteteve, sepse në këtë mënyrë Evropa do të jetë edhe më stabile e më demokratike, si një bashkësi e popujve me kultura të ndryshme. Ai në vijim foli edhe për marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke i vlerësuar ato si shumë të rëndësishme. Duke u angazhuar për  thellim të bashkëpunimit ndërparlamentar, ai propozoi që së paku njëherë në vit të ketë takime të këtyre dy komisioneve.

Për çështjen e Gjykatës Speciale foli edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Andreas Ferrarese, i cili tha se nuk ka pasur zgjidhje tjetër, megjithëse ka qenë vështirtë.”Ne do t’ju mbështesim derisa të kuptohet se kemi bërë zgjidhje të mirë”, theksoi ai. Deputetja Time Kadrijaj, duke folur për këtë çështje tha se formimi i Gjykatës ishte vendim selektiv, sepse me këtë gjykohen vetëm viktimat.

Deputetja Luljeta Veselaj-Gutaj në fjalën e saj i bëri një vështrim çështjes së harmonizimit të legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së. 


Komisioni për Integrime Evropiane priti një delegacion të senatorëve italianë