Lajmet e fundit

Kryetari Veseli bëri nderime para varrezave të dëshmorëve në Gjilan dhe vizitoi disa familje të dëshmorëve

E Enjte, 17.09.2015




Sot, në kuadër të shënimit të Ditës së Rivarrimit të Dëshmorëve të rajonit të Gjilanit dhe Zonës së Karadakut të UÇK-së, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, bëri homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në qytetin e Gjilanit dhe në shenjë nderimi për sakrificën e tyre, vendosi tufë me lule.

“Çdo përvjetor ne përulemi para dëshmorëve të lirisë, të cilët bënë gjithçka që Kosova të gëzojë sot lirinë. Familjarët e dëshmorëve duhet të jenë krenarë për bijat dhe bijtë e tyre, bashkëluftëtarët duhet ta vazhdojnë amanetin e dëshmorëve, ndërsa qytetarët duhet t’i respektojnë më shumë këto vlera sublime”, tha me këtë rast kryetari Veseli.

Aktiviteti i kryeparlamentarit Veseli në këtë ditë të shënuar, vazhdoi më vizita në familjet veprimtarëve të shquar, dëshmorëve të kombit, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha dhe Abdullah Tahiri. Gjatë këtyre vizitave kryetari Veseli u prit nga familjarë të dëshmorëve, të cilët shprehën konsideratën e lartë për vizitën e kreut të Kuvendit në këtë ditë të shënuar.

Duke çmuar lart sakrificën e këtyre heronjve, kryeparlamentari Veseli i konsideroi ata frymëzues dhe pararendës të gjeneratave pasuese, të cilët vazhduan veprimtarinë atdhetare të tyre, deri në çlirimin e Kosovës, pavarësinë e saj dhe shtetndërtimin. 

“Gjaku i Rexhep Malajt, Nuhi Berishës dhe dëshmorëve tjerë të kombit, është në themelin e lirisë që sot gëzon vendi ynë, para varreve të të cilëve ne sot përulemi, duke qenë të përkushtuar që të ndërtojmë shtetin tonë, si detyrim të përhershëm ndaj sakrificës së shumë gjeneratave”, theksoi kryetari Veseli.

Gjatë ditës së sotme, kryetari i Kuvendit e zhvilloi një vizitë edhe në Universitetin “Kadri Zeka” të Gjilanit, gjatë të cilës Ai u prit në takim nga U. D. i rektorit, Naim Syla dhe drejtues të tjerë të universitetit, ndërsa mbajti një fjalë rasti para studentëve dhe stafit akademik të këtij universiteti. 

Gjatë fjalës së tij, kryetari Veseli u përcolli studentë mesazhin që të jenë të përkushtuar maksimalisht ndaj dijes dhe shkencës, në favor të tyre, familjeve dhe vendit në përgjithësi. Në veçanti, z. Veseli vuri në dukje rëndësinë që rinia studentore duhet të synojë që të arrijë cilësi sa më të larta në studime, për të qenë konkurrentë me të rinjtë në nivel global.

Ai po ashtu, inkurajoi të rinjtë nga Lugina e Preshevës që të ndjekin studimet në Universitetin e Gjilanit dhe në universitetet tjera të Kosovës, ndërsa pas përfundimit të tyre, të kthehen në vendlindje dhe të ndërtojnë aty të ardhmen e vet.

Ndërkaq, nga drejtuesit e universitetit, kryetari Veseli kërkoi që të kenë mirëkuptim ndaj nevojave të të rinjve të Luginës së Preshevës dhe të marrin parasysh çdo kërkesë për studim.

Gjatë këtyre vizitave, kryetari Veseli u shoqërua nga deputetë të Kuvendit dhe personalitete të tjera publike të këtij rajoni.

Kryetari Veseli bëri nderime para varrezave të dëshmorëve në Gjilan dhe vizitoi disa familje të dëshmorëveKryetari Veseli bëri nderime para varrezave të dëshmorëve në Gjilan dhe vizitoi disa familje të dëshmorëveKryetari Veseli bëri nderime para varrezave të dëshmorëve në Gjilan dhe vizitoi disa familje të dëshmorëveKryetari Veseli bëri nderime para varrezave të dëshmorëve në Gjilan dhe vizitoi disa familje të dëshmorëve