Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
E Mërkure, 16.09.2015
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, ka raportuar Zef Pren Ndrecaj, lidhur me shkresën nga Zyra e Prokurorisë Disiplinore. Me këtë rast, anëtarët e komisionit u dakorduan që të formojnë një grup pune për shqyrtim të kësaj çështje.
Pas diskutimit të Komisionit lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.04/L-051 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, me shumicën e votave të anëtarëve të komisionit u vendos që ky projektligj të procedohet në seancë plenare me rekomandimin që të miratohet në parim.
Kundër procedimit të këtij ligji dhe miratimit të tij në parim ishte kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu.
Në vijim, Komisioni ka shqyrtuar dhe përkrahur për procedim në seancë plenare edhe propozimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarit në Këshillin Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.
Ndërkaq, sa i përket shpalljes së konkursit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga Kuvendi, si dhe shqyrtimit të planit të punës së komisionit për sesionin vjeshtor, Komisioni vendosi që këto çështje të shqyrtohen në një mbledhje tjetër të radhës.