Lajmet e fundit
Mbahet tryezë diskutimi për Projektligjin e Kuvendit të Kosovës
E Mërkure, 16.09.2015
Sot, nën organizimin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, është mbajtur tryezë diskutimi me partnerët dhe organizatat e shoqërisë civile për Projektligjin për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në fjalën e hapjes së kësaj tryeze, kryetari Veseli tha se Kuvendi i Kosovës, edhe pse me një përvojë prej 14 vitesh, vazhdon të punojë pa një ligj të vetin, fakt ky i potencuar vazhdimisht edhe në raportet e progresit të Bashkimit Evropian. Kreu i Kuvendit tha se në të kaluarën ka pasur ide, por kanë munguar inciativat e qarta ligjore për këtë çështje.
"Komisioni parlamentar për Legjislacion ka punuar në projektligjin për Kuvendin. Në këtë kontekst janë shfaqur pikëpamje të ndryshme, edhe nga faktorët ndërkombëtarë, Komisioni Evropian, i cili ka sponsorizuar këtë inciativë ligjore, pastaj Fondi Monetar Ndërkombëtar e të tjerë. Sot jemi së bashku që t'i dëgjojmë pikëpamjet dhe të nxjerrim konkluzione të dobishme", theksoi kryetari Veseli.
Këto konkluzione, shtoi kryeparlamentari Veseli, janë me vlerë sepse Ligji për Kuvendin është një ligj bazik që ka implikime të shumta, si buxhetore ashtu edhe në një mori ligjesh të tjera, si: Ligji për prokurimin publik, Ligji për shërbyesit civil, Ligji për pagat e nëpunësve civil, Ligji për menaxhimin e financave publike dhe Ligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës", tha ne fjalën e tij kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Duke pasur parasysh këto fakte, kryetari Veseli shtroi nevojën e një debati sa më gjithëpërfshirës institucional e publik, grupeve të interesit dhe shoqërisë civile për rrjedhën e hartimit dhe miratimit të këtij ligji.
Tryeza vazhdon me diskutime të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, shoqërisë civile dhe organizatave partnere, pjesëmarrës në këtë tryezë.