Lajmet e fundit
Në shenjë të Ditës së Demokracisë u ndanë tri shpërblime për piktorët filloristë
E Marte, 15.09.2015
Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, Kuvendi i Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka organizuar një konkurs për piktorët filloristë, të klasave të teta dhe të nënta në temën : "Paqe dhe liri për të gjithë fëmijët e botës".
Juria e përbërë nga: Abdurrahman Simnica, piktor grafik , zyrtar në Ministrinë e Arsimit, Mihane Haziri, profesoreshë e artit figurativ në gjimnazin "Sami Frashëri " në Prishtinë dhe Shefqet Rexhepi, gazetar shumëvjeçar i kulturës dhe arsimit, aktualisht zyrtar i lartë për media në Kuvendin e Kosovës, pasi i ka analizuar të gjitha vizatimet e nxënësve, ka shpërblyer tri prej tyre.
Me qëllim të nxitjes së kreativitetit të filloristëve, çmimi i parë shoqërohet me 300 euro, çmimi i dytë me 200 euro, ndërsa çmimi i tretë me 100 euro.
Çmimin e tretë e ka fituar një punim i panënshkruar, ndërsa çmimin e dytë e ka fituar nxënësja Verona Halimi, nxënëse e kl. VIII - 2 nga "Shkolla e Gjelbër" në Prishtinë.
Çmimi i parë, ndërkaq, i takoi nxënëses së klasës 8/5 të shkollës "Dardania" në Prishtinë, Era Gërbeshi. Duke ndarë këtë çmim kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ftoi të rinjtë të merren me pikturë, duke premtuar se ato do të kenë hapësirë përherë në ambientet e Kuvendit të Kosovës.