Lajmet e fundit

Kuvendi shënon Ditën e Demokracisë

E Marte, 15.09.2015




Me moton "Institucione të hapura - pjesëmarrje qytetare!", në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka hapur sot dyert për të gjithë qytetarët dhe ka organizuar një varg aktivitetesh.

Në hapjen solemne të kësaj dite, para përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe nxënësve nga shkolla të ndryshme të vendit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, theksoi përkushtimin e institucionit që ai udhëheq në të gjitha ato vlera që e bëjnë demokracinë funksionale dhe të qëndrueshme.

"Transparenca para publikut, llogaridhënia para qytetarëve, përfaqësimi i duhur politik, përfshirja qytetare dhe e shoqërisë civile në proceset parlamentare, si dhe qasja e mediave në raportet e shpenzimeve të parasë publike që bën Kuvendi i Kosovës, janë vlerat në të cilat bazohet platforma ime në drejtimin e punës së Kuvendit", tha në fjalën e tij kryetari Veseli.

Kreu i Kuvendit vuri në dukje se në këtë ditë, Republika e Kosovës, së bashku me vendet demokratike dhe vendet që aspirojnë vlerat demokratike, janë të bashkuar rreth idealit më të madh të kohës: demokracisë. Ai tha se historia e përpjekjeve të Kosovës për demokraci është e gjatë dhe e vështirë. Veseli shtoi se mediat e lira dhe shoqëria civile e pacenuar në misionin e saj, janë mekanizma të domosdoshëm për një demokraci të shëndoshë.

Kryetari i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, nga ana e tij, vlerësoi lart hapat që ka ndërmarrë Kuvendi gjatë këtij viti në kultivimin e transparencës dhe hapjen e mëtejshme kundruall publikut të përgjithshëm. Ai me këtë rast i dorëzoi kryetarit Veseli publikimin e raporteve përmbledhëse për hulumtimet ligjore për komisionet parlamentare. U prezantua, gjithashtu, edhe Platforma Digjitale për Pyetje Parlamentare, e përgatitur po ashtu nga KDI-ja. Në vazhdim të këtij aktiviteti, kryetari Veseli bashkëbisedoi me përfaqësues të organizatave që e mbështesin Kuvendin dhe me ata të shoqërisë civile, si dhe me vizitorë të rastit. Më pas, ai vizitoi Panairin e OJQ-ve, i cili mbahet në oborrin e Kuvendit, hapjen solemne të të cilit e bëri kryetari i Forumit për transparencë parlamentare, deputeti Zenun Pajaziti.

Aktivitetet në kuadër të shënimit të Ditës së Demokracisë vazhdojnë deri në orën 16:00.