Lajmet e fundit

Nesër, në Kuvendin e Kosovës mbahet Dita Ndërkombëtare e Demokracisë

E Hënë, 14.09.2015




Nesër, më 15 shtator 2015, hapet manifestimi "Dita Ndërkombëtare e Demokracisë", me moton "Institucione të hapura - pjesëmarrje qytetare!". Në orën 10, në hollin e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, para të pranishmëve do të mbajë fjalën e hapjes, ndërkaq, pastaj do të mbajë një fjalë të shkurtër drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, i cili do t' ia dorëzojë kryetarit të Kuvendit, z. Kadri Veseli, publikimin e Raporteve Përmbledhëse për Hulumtimet Ligjore për Komisionet Parlamentare.

Kryekuvendari Veseli pastaj do të ketë një bashkëbisedim me përfaqësues të organizatave që e mbështesin Kuvendin dhe me ata të Shoqërisë Civile. Në vijim, bëhet prezantimi i Platformës Digjitale për Pyetje Parlamentare, përgatitur nga KDI-ja, si dhe hapja e Panairit me rastin e shënimit të Ditës së Demokracisë, me një fjalë të kryetarit të Forumit për transparencë parlamentare, Zenun Pajaziti.

Në vazhdim të këtij solemniteti, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, viziton Panairin e OJQ-ve dhe ekspozitën e piktorëve filloristë. Me këtë rast, bëhet ndarja e çmimeve tre piktorëve të rinj, sipas konkursit të shpallur nga Kuvendi, me rastin e kësaj dite.

Çmimin e parë e ndan kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, çmimin e dytë-anëtarja e Forumit për transparencë parlamentare, Donika Kadaj-Bujupi, ndërsa çmimin e tretë-sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.