Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 14.09.2015
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, ka mbajtur sot mbledhjen e parë për sesionin vjeshtor dhe ka përcaktuar rendin e ditës për seancën plenare të kësaj jave, e cila do të mbahet të enjten, më 17 shtator, në orën 10:00.
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve të deputetëve në adresë të qeverisë, me kërkesën e tij, lidhur me marrëveshjet e 25 shtatorit në Bruksel, në këtë seancë do të raportojë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Më pas, do të zhvillohet interpelanca e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi.
Kuvendi do të vazhdojë punimet me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për letërnjoftimin dhe shqyrtimin e parë të Projektligjit për treguesit gjeografikë dhe për emërtimet e origjinës. Më pas pritet të emërohen anëtarët e Këshillit për Ndihmë Juridike Falas dhe një anëtar i Komisionit për Kërkesa Pronësore, ndërsa në fund parashihet formimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të RTK-së nga komuniteti serb.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia diskutoi lidhur me formimin e grupeve të miqësisë me parlamentet e shteteve të tjera dhe u pajtua që kryesimi i tyre të bëhet sipas çelësit të aplikuar me rastin e zgjedhjes së kryetarëve të komisioneve parlamentare.
Po sot, Kryesia u njoftua me dorëheqjen e deputetit Ramush Haradinaj nga Komisioni për Punë të Jashtme.