Lajmet e fundit
Kryekuvendari Veseli: Qasje të njëjtë të BE-së në procesin integrues ndaj shteteve të Ballkanit
E Enjte, 10.09.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë debatit në
panelin e Forumit të 25-të ekonomik, ka diskutuar rreth Politikës së
zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe fqinjësisë së mirë. Ai më këtë rast vuri
në dukje perspektivën e Kosovës në BE, si rrugë të vetme që synojnë Kosova dhe shtetasit e saj, duke e pasur si vizion të qartë. “Për të arritur këtë, ne kemi një vizion të qartë, të vendosur si një prioritet
kombëtar. Kjo mund të bëhet nëpërmjet: zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, sistemit të qëndrueshëm të sundimit të ligjit, procesit të pajtimit
në mes të të gjitha etnive, fqinjësisë së mirë dhe partneritetit të vazhdueshëm
me organizatat ndërkombëtare. Megjithatë, Kosova nuk është një ishull.
Rajonin duhet parë në mënyrë optimiste si partnerin më të rëndësishëm për
integrim të përbashkët dhe sa më të shpejtë në BE”, theksoi z. Veseli.
Ndërsa rreth së institucioneve të BE-së ndaj Kosovës, kryekuvendari kërkoi
trajtim të barabartë me shtetet tjera, duke theksuar se Bashkimi Evropian pa
Ballkanin nuk mund të pretendojë të jetë Evropa e vërtetë.
“Duhet të ndryshohet qasja e BE-së ndaj Ballkanit, duke i trajtuar të gjithë
në të njëjtën mënyrë. Kosova është e vendosur për realizimin e agjendës së
integrimit në BE, jo vetëm si qasje institucionale, por edhe si vullnet, qëllim
politik dhe interes nacional”, theksoi kryekuvendari Veseli.
Kosova i përket Evropës, jo vetëm në aspektin gjeografik edhe në atë
kulturor, psikologjik e shpirtëror. Institucionet e Kosovës dhe shtetasit e saj,
do të bëjnë përpjekje për të përmbushur standardet e BE-së për anëtarësim
në familjen e madhe evropiane, theksoi në diskutimin e tij, kryetari i
Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në panelin e Forumit
ekonomik.