Lajmet e fundit
Kryetari Veseli zhvilloi takime me udhëheqës të Senatit dhe Parlamentit të Polonisë
E Mërkure, 09.09.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e 25-të ekonomik, me temën: "Drejt një Evrope të qëndrueshme. Strategjitë për të ardhmen", ka takuar drejtues të Senatit dhe Parlamentit të Polonisë.
Kryekuvendati Veseli është takuar me zv. Kryetarin e Senatit, z. Karczewski dhe zv. Kryetarin e Kuvendit të Polonisë, Eugeniusz Grzeszczak. Në këto takime u diskutua nevoja e thellimit të bashkëpunimit ndërparlamentar dhe diplomatik të nivelit më të lartë.
Gjatë ditës, Z. Veseli ka takuar zv. Kryetarin e Senatit të Polonisë, Stanislaw Karczewski, me të cilin ka diskutuar për nevojën e thëllimit të bashkëpunimit në mes të dy shteteve, veçanërisht në nivel të dy Kuvendeve.
Në takim, Z. Veseli diskutoi për zhvillimet në vend dhe rajon, duke u fokusuar në agjendën e Republikës së Kosovës drejt integrimit në BE, sfidat e kësaj agjende dhe nevojën e përkrahjes nga vendet mike, si Polonia. Bashkëbiseduesit u dakorduan për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve ekonomike dhe diplomatike me interes të të dyja vendeve.
Gjatë ditës, Kryetari i Kuvendit Z. Veseli ka takuar edhe zv. Kryetarin e Kuvendit të Polonisë, Eugeniusz Grzeszczak. Çështjet e ngritura në këtë takim ishin: zhvillimi i bashkëpunimi ndërparlmentar, vizitat reciproke dhe marrja e përvojës nga Polonia në procesin e integrimit.
Z. Veseli theksoi rëndësinë e stabilitetit në Ballkan, bashkëpunimin rajonal, integrimit të Kosovës dhe kësaj pjese të Evropës në Bashkimin Evropian, duke kërkuar që Polonia të bëhet mbështetëse e këtij procesi.
Konkludim i përbashkët ishte se vizitat reciproke do ta ndihmonin bashkëpunimin ndërparlamenatar me fokus procesin e integrimit të Kosovës në BE.
Kryekuvendari Veseli është i ftuar në Forumin Ekonomik në Poloni si panelist ku marrin pjesë shtetarë, ekspertë dhe drejtues nga fusha politike, ekonomike dhe sociale nga Evropa dhe më gjerë.