Lajmet e fundit

U shënua 25-vjetori i Kushtetutës së Kaçanikut

E Hënë, 07.09.2015




Kadri Veseli: Deklarata e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e 7 shtatorit - kundërpërgjigje ndaj agresionit kushtetues serb mbi Kosovën.
Përmes këtyre dy akteve, u përgatitën kushtet juridike që Kosova të lëvizte drejt platformës së pavarësisë

Sot, në ambientet e Shtëpisë së Kulturës në Kaçanik, nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, është shënuar 25-vjetori i miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (7 shtator 1990 në Kaçanik).
Në manifestim ishin të pranishëm personalitete të jetës politike të vendit, protagonistë të ngjarjes së 7 shtatorit 1990 dhe qytetarë të tjerë të shumtë.
Duke marrë fjalën, kryeparlamentari Veseli vlerësoi rëndësinë historike të 7 shtatorit 1990 dhe hapin guximtar të protagonistëve të kohës, të cilët në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme ndërmorën veprimin e duhur, si përgjigje të agresionit kushtetues të Serbisë.
Kryetari Veseli bëri një elaborim të zhvillimeve kryesore të viteve të '90-ta, kur nacionalizmi agresiv serb po bëhej gati të përgjakte popujt e ish-Jugosllavisë, për ta bërë realitet ëndrrën e vjetër të Serbisë së Madhe, duke e goditur fillimisht Kosovën dhe duke e degraduar atë, nëpërmjet kthimit në gjendjen politike dhe juridike të para vitit 1974. Ndërsa Kosova dhe lëvizja jonë kombëtare, në anën tjetër, tha z. Veseli, synonin të kundërtën: avancimin e statusit të vitit 1974 në nivelin e barazisë me republikat tjera të federatës.
Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutën e 7 shtatorit të po atij viti, kryetari Veseli i konsideroi momente të rëndësishme të rrjedhën historike të lëvizjes sonë kombëtare për çlirimin e Kosovës, akte dhe përpjekje guximtare që Kosova të mos përmbysej në greminën e historisë, në harresën e botës dhe nënshtrimin pa shtegdalje.
"Të dy këto akte politike shënonin kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë ndaj agresionit kushtetues që Serbia bëri ndaj Kosovës në vitin 1989. Por jo vetëm kaq. Ato ishin pjesë e rezistencës gjithëpërfshirëse e cila po zhvillohej në vitet '90, në të gjitha nivelet e shoqërisë kosovare", tha kreu i Kuvendit.
Përmes Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës të 7 shtatorit, tha në vazhdim Veseli, u përgatitën kushtet juridike, që pas shpërbërjes finale të Jugosllavisë komuniste, Kosova të lëvizte drejt platformës së pavarësisë dhe krijimit të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës.
"Dhe kështu ndodhi. Në kaosin e përgjakshëm që pasoi vdekjen e Jugosllavisë, Kosova e kishte të qartë rrugën që duhej të ndiqte dhe qëllimin që duhej të arrinte. Kthim pas nuk do të kishte. Pas viteve e rezistencës civile, erdhën ditët e lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Bota demokratike na mirëkuptoi dhe u rreshtua në anën tonë, në anën e kauzës së lirisë dhe drejtësisë", theksoi kryetari Veseli, duke shtuar se ishte kjo luftë që bëri realitet misionin një shekullor të çlirimit të Kosovës dhe fillimin e një epoke të re, asaj të Kosovës së lirë e të pavarur, me kushtetutë të standardeve më të larta demokratike, për të gjithë qytetarët e saj pavarësisht dallimeve të tyre, të sigurtë në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe integrimit brenda familjes së madhe të demokracive perëndimore.
Në kuadër të këtij jubileu, po sot në Kaçanik u hap ekspozita me fotografi nga momente kulmore të miratimit të Kushtetutës dhe u zbulua pllaka përkujtimore, e cila i dedikohet kësaj ngjarjeje të rëndësishme.

 

 

1