Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Hënë, 07.09.2015




Komisioni për Integrime Evropiane, kryesuar nga Teuta Sahatqija, kryetare e Komisionit, mbajti sot mbledhjen e parë të sesionit vjeshtor, në të cilën u fol për realizimin e planit të punës së Komisionit, duke i bërë një vështrim edhe detyrave që e presin Komisionin në stinorin vjeshtor të punës. Në fillim të mbledhjes,Teuta Sahatqija foli për realizimin e detyrave të deritashme në kuadër të planit të sesionit pranveror, duke theksuar se në këtë periudhë janë realizuar 85 për qind e planit të punës, ndërsa shprehu bindjen se deri në fund të sesionit vjeshtor do të realizohen 95 për qind e planit vjetor të punës. Z. Sahatqija, duke folur rreth prioriteteve të punës së Komisionit, theksoi nevojën që Komisioni së shpejti të takohet me ministrin e Zhvillimit Ekonomik,me atë të Integrimeve Evropiane, si dhe të organizohet një bisedë lidhur me MSA-në. Ajo foli edhe për ecurinë e monitorimit të ligjeve, bashkëpunimin me GIZ-in etj.
Në diskutimin tij, Xhavit Haliti, në fillim foli për bashkëpunimin me institucionet e BE-së, sidomos lidhur me shtetin ligjor dhe liberalizimin e vizave. Ndërkaq, në vijim ai theksoi se ky Komision duhet të ketë një takim me ministrin e Punëve të Brendshme,pa praninë e mediave, në të cilin do të bisedohej edhe për çështjen e marrëdhënieve me Maqedoninë."Në raportet me Maqedoninë kemi probleme, kemi një situatë që ka mundur të parandalohet", tha z. Haliti. Ai foli edhe për bashkëpunimin e këtij Komisioni me komisionet homologe evropiane. Z. Haliti duke folur për çështjen e përgjegjësisë dhe kompetencave, u angazhua që secili të flasë në bazë të përgjegjësisë që ka, e jo polici ose këshilltari të flasin për çështje që nuk janë në kompetencë të tyre.
Ilir Deda në diskutimin e tij foli për angazhimet e Komisionit në synimet drejt integrimeve evropiane, si dhe në lëmin e legjislacionit, ndërsa shfaqi brengën për gjuhën politike që po përdoret në Kosovë, e cila sipas tij duhet të jetë racionale, pra e nivelit evropian, drejt të cilit synohet të ecet. Për disa angazhime që e presin Komisionin në fushën e legjislacionit foli edhe deputetja Luljeta Veselaj-Gutaj.