Lajmet e fundit
Kryetari Veseli: Nënë Tereza i tregoi botës se vinte nga një popull i vogël, por me zemër të madhe
E Shtune, 05.09.2015
Sonte në Katedralen "Nënë Tereza" në Prishtinë, nën patronatin e kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës, u mbajt koncerti kushtuar figurës së humanistes së madhe shqiptare, Nënë Tereza.
Në koncert ishin të pranishëm personalitete të njohura të jetës politike e institucionale të vendit, të artit, shkencës e kulturës, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare e përfaqësive diplomatike në Prishtinë, drejtues të konfesioneve fetare dhe të ftuar të tjerë të shumtë.
Fillimisht, të pranishmit i përshëndeti Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili gjithashtu, gjatë fjalës së tij shkoqiti edhe segmente të rëndësishme të jetës dhe veprës së humanistes Nënë Tereza.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, gjatë fjalës së tij të rastit, vlerësoi kontributin dhe shërbimin që Nënë Tereza i bëri atdheut, nëpërmjet misionit të saj fisnik të bamirësisë e të përkujdesjes njerëzore, duke u bërë kështu vlerë krenarie për shqiptarët në të gjitha anët e globit.
Kreu i Kuvendit tha se tre vite më parë, kur OKB-ja vendosi që duhej të kishte një datë dhe një emër që do të simbolizonte përkushtimin global për bamirësi dhe humanizëm, askush nuk kishte dilema se cila do të ishte kjo datë dhe se cili do të ishte ky emër.
"E lindur dhe e rritur në një kohë të trazuar, vasha e ndrojtur e bojaxhinjve të Prizrenit, në një ditë gushti të vitit 1928, shumë afër nga këtu, në Letnicën e Vitisë, mori vendimin jetësor për t'u nisur në rrugën e madhe të bamirësisë dhe humanizmit. Ajo nuk u kthye kurrë më as në Letnicë as në Kosovë, por shpirtin e kësaj toke e mori me vete, për ta kthyer në një lëvizje botërore të bamirësisë, solidaritetit, paqes dhe dashurisë njerëzore", tha kryetari Veseli, duke shtuar se Nënë Tereza, me veprën e saj jetësore i tregoi gjithë botës se vinte nga një popull i vogël, por me zemër të madhe, duke i bërë kështu një dhuratë të çmuar atdheut të saj.
"Sonte jemi mbledhur këtu në këtë tempull të respektuar të zotit, që së bashku të dëgjojmë tingujt e himnit të saj. Nga këtu, nga toka e saj, nga Prishtina, këta tinguj do të dëgjohen në të gjithë botën, për të dhënë përsëri mesazhin për të cilin veproi gjithë jetën e saj, bija jonë e madhe, Nënë Tereza. Mesazhin e paqes që triumfon mbi urrejtjen dhe shkatërrimin, mesazhin e solidaritetit që triumfon mbi indiferencën dhe mospërfilljen, mesazhin e dashurisë njerëzore që triumfon mbi dhunën, mesazhin se jeta jonë merr kuptim vetëm duke punuar me besimin se gjithmonë është e mundur një botë më e mirë, më e drejtë dhe më paqësore. Urime e gëzuar të gjithë himni i të shenjtës Nënë Tereza", tha kryeparlamentari Veseli në fjalën e tij.
Z. Veseli tha se Kuvendi e konsideron Nënën Terezë të shenjtë, sepse, siç theksoi kryeparlamentari, ajo e tillë ka qenë gjatë gjithë jetës së saj. Kreu i legjislativit shfaqi besimin se Kuvendi shumë shpejt do ta shpallë 5 shtatorin ditë të humanizmit dhe bamirësisë.
Në vazhdim, solistë të njohur performuan vepra muzikore të kompozitorëve shqiptarë dhe botërorë, ndërsa aktorë të shquar recituan vargje kushtuar jetës dhe veprës së bijës së madhe të kombit shqiptar - Nënës Terezë.
Koncerti u përmbyll me Himnin kushtuar Nënës Terezë, performuar nga solistja e njohur shqiptare, me famë botërore, Inva Mula.