Lajmet e fundit
Kryekuvendari Kadri Veseli priti ambasadorin e ri amerikan në Kosovë, Greg Delawie
E Hënë, 24.08.2015
Sot, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi takim me ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z.Greg Delawie. Në takim u bisedua për çështjet dhe sfidat kryesore nëpër të cilat është duke kaluar aktualisht shteti i Kosovës. Amabasdori Delawie përgëzoi kryetarin Veseli dhe Kuvendin e Kosovës për lidershipin e treguar në procesin shumë të vështirë të ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të ligjeve për krijimin e gjykatës speciale.
Më tutje ambasadori Delawie theksoi mbështetjen e Uashingtonit për procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë që ka për qëllim normalizimin e raporteve në mes dy vendeve.
Kryetari Veseli, duke i uruar ambasadorit Delawie mirëseardhje dhe punë të mbarë në Kosovë, theksoi se ndihma amerikane mbetet faktor i pazëvendësueshëm në ecjen përpara të Kosovës në planin e zhvillimit ekonomik, të integrimeve euro-atlantike dhe forcimin e shtetit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.
Ambasadori Delawie, duke shprehur kënaqësinë për detyrën e tij të re në Kosovë, theksoi se vendi që ai përfaqëson është e do të mbetet miku më i mirë i Kosovës dhe do ta ndihmojë Kosovën në të gjitha proceset e saj.
Në takim u bisedua edhe për procesin e krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK), funksionimin e Kuvendit të Kosovës, raportet në mes pozitës dhe opozitës, si dhe rolin e pakicave etnike në jetën parlamentare dhe politike të Kosovës.