Lajmet e fundit

Kryekuvendari Kadri Veseli ka pritur në një takim një grup kongresmenësh amerikanë, të kryesuar nga Vern Buchanan

E Enjte, 20.08.2015




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, së bashku me anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, ka pritur sot në një takim një grup kongresmenësh amerikanë, të kryesuar nga Vern Buchanan, të cilët janë anëtarë të Komisionit të Kongresit për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë.

Me këtë rast, u bisedua për partneritetin e deritashëm ndërmjet Kongresit Amerikan dhe Kuvendit të Kosovës, si dhe për përkrahjen e madhe që mekanizmat e Kongresit i kanë dhënë Kuvendit të Kosovës në ngritjen e kapaciteteve të tij legjislative dhe politike.

Buchanan u shpreh se përkrahja amerikane do të vazhdojë edhe në të ardhmen, si pjesë e mbështetjes së gjithanshme të SHBA-së për Kosovën.

Kryetari Veseli falënderoi delegacionin e Kongresit Amerikan për këtë mbështetje, duke theksuar se ecja përpara e Kosovës dhe kapërcimi i sfidave me të cilat ballafaqohet aktualisht vendi ynë, varen nga partneriteti me SHBA-në dhe botën perëndimore në përgjithësi.

Veseli dhe Buchanan vlerësuan gjithashtu se forcimi i institucioneve demokratike në Kosovë, kërkon mes tjerash, një përqendrim më të madh në fushën e ekonomisë, sepse zhvillimi ekonomik është njëri ndër faktorët më të rëndësishëm në forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.