Lajmet e fundit

Kongresistët amerikanë u takuan edhe me shefat e grupeve parlamentare

E Enjte, 20.08.2015




Gjatë vizitës së sotme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, delegacioni i kongresistëve amerikanë, anëtarë të Komisionit të Kongresit për Partneritet dhe Zhvillim të Demokracisë, i kryesuar nga Vern Buchnan, ka zhvilluar një takim edhe me shefat e grupeve parlamentare.

Në këtë takim shefat e grupeve parlamentare folën për zhvillimet në Kosovë, në këndvështrimin e subjekteve që përfaqësojnë.

Në fokus të takimit ishin çështje të zhvillimit ekonomik të vendit dhe të sundimit të rendit dhe të ligjit në Kosovë.

Në këtë takim, në të cilin merrnin pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, si dhe përfaqësues të USAID-it dhe të NDI-së, institucione këto që e mbështesin në vazhdimësi Kuvendin e Kosovës, ligjvënësit amerikanë janë shprehur se Kongresi dhe shteti amerikan do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në planin e zhvillimit ekonomik, por edhe në atë të sundimit të rendit dhe të ligjit.

Kuvendarët e Kosovës, ndërkaq, janë zotuar se do të angazhohen për ligje sa më të mira që mundësojnë zhvillim të përshpejtuar ekonomik të vendit dhe garantojnë investimet e huaja në Kosovë.

Të dy palët janë pajtuar se duhet të rritet edhe më roli proaktiv i Kuvendit të Kosovës në mbikëqyrjen e ekzekutivit të vendit.