Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi shefen e Zyrës Ndërlidhëse Greke në Prishtinë, ambasadoren Athanassiadou
E Marte, 04.08.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse Greke në Prishtinë, ambasadoren Konstantina Athanassiadou, me të cilën diskutoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, marrëdhëniet midis dy vendeve dhe mundësitë e rritjes së tyre në kapacitete të plota.
Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit veçanërisht në fushën e investimeve në Kosovë dhe atë të arsimit.
Kryetari Veseli falënderoi ambasadoren greke për bashkëpunimin e deritashëm, ndërsa theksoi nevojën e begatimit të këtij bashkëpunimi me përmbajtje të reja dhe hapa praktikë, për t'i kontribuar forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe atij rajonal, fqinjësisë së mirë dhe të ardhmes së përbashkët euro-atlantike.
Kryetari i Kuvendit kërkoi mbështetjen e Athinës zyrtare në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare.
Ambasadorja Athanassiadou ofroi mbështetjen e shtetit të saj për angazhimet aktuale të institucioneve të Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane dhe organizatat ndërkombëtare, duke kontribuar kështu në forcimin e paqes e të stabilitetit rajonal.