Lajmet e fundit
Nga punimet e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit
E Hënë, 03.08.2015
Sonte, në orët e vona të natës, Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, është mbledhur serish në seancë të jashtëzakonshme, në të cilën ka bërë shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.
Raportin me rekomandime të Komisionit për Legjislacion lidhur Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, e paraqiti dhe arsyetoi zëvendëskryetarja e komisionit, Selvije Halimi, sipas të cilit, Kuvendit i rekomandohet miratimi i projektligjit, me një amendament.
Me 66 vota për, 3 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi miratoi projektligjin, me amendamentin e propozuar nga komisioni funksional.
Në vazhdim, Kuvendi procedoi me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Mbrojtjen Juridike dhe Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara. Edhe për këtë projektligj, rekomandimin e komisionit funksional për miratimin e tij, pa amendamente, e paraqiti deputetja Selvije Halimi.
Kuvendi miratoi projektligjin, me votat për të 62 deputetëve prezentë, përderisa 8 ishin kundër, ndërsa 2 abstenuan.
Në këtë seancë, Kuvendi përkrahu mocionin e kryetarit të GP të LDK-së, Ismet Beqiri, për futjen në rend dite të propozim-vendimit të qeverisë, për emërimin e kryetarit dhe dy anëtarëve të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, prezantoi rekomandimin e komisionit, sipas të cilit të propozuarit i plotësojnë kushtet formale-juridike për t'u emëruar në këto funksione dhe rrjedhimisht i rekomandohet Kuvendit emërimi i tyre.
Me shumicën e votave të deputetëve, Kuvendi emëroi Safet Hoxhën kryetar të KRPP-së, ndërsa Sami Ukën dhe Ergin Kalën, anëtarë.
Kjo seancë shënoi edhe fundin e punimeve të sesionit pranveror të Kuvendit për këtë vit.