Lajmet e fundit
Nga mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit
E Hënë, 03.08.2015
Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, me kërkesë të kryeministrit të vendit është mbledhur sonte në një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën ka shqyrtuar në parim dy projektligje: Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.
Fillimisht, Kuvendi miratoi propozimin e kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, për shqyrtimin e projektligjeve me procedurë të përshpejtuar, duke u shmangur nga Rregullorja e Kuvendit. Konform propozimit, u ngarkua vetëm Komisioni për Legjislacion, në cilësi të komisionit funksional, për shqyrtimin e këtyre dy projektligjeve dhe raportet me rekomandime t'i paraqiten Kuvendit gjatë ditës së sotme.
Në vazhdim, komisioni procedoi me shqyrtimin e parë të Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të cilin para deputetëve e prezantoi ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Ministri Kuçi përshkoi ecurinë e hartimit të këtij projektligji, ndërsa bëri të ditur se projektligji i paraqitur është version i dërguar nga Bashkimi Evropian, përderisa shumica e propozimeve të vendorëve, sipas tij, nuk janë marrë parasysh.
Zëvendëskryetarja e Komisionit për Legjislacion, Selvije Halimi, shpalosi qëndrimin e këtij komisioni, sipas të cilit, Kuvendit i rekomandohet miratimi në parim i projektligjit.
Përfaqësuesit e grupeve parlamentare prezentë në seancë, Adem Grabovci në emër PDK-së, Armend Zemaj në emër të LDK-së, Sllavko Simiq në emër të Listës serbe dhe Danush Ademi në emër të Grupit 6+, paraqitën qëndrimet për miratimin e projektligjit në parim. Deputetë të tjerë, ndërkaq, kërkuan nga ministri sqarime për aspekte përmbajtësore të projektligjit. Ministri Kuçi përsëriti se shumica e propozimeve të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës nuk janë marrë parasysh dhe se nuk ka pasur hapësirë për negocim.
Pas diskutimeve dhe sqarimeve, me 73 vota për dhe 1 kundër, Kuvendi miratoi në parim projektligjin.
Seanca vazhdoi punimet me shqyrtimin në parim të Projektligjit për Mbrojtjen Juridike dhe Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, të cilin po ashtu e paraqiti ministri Hajredin Kuçi. Kreu i Ministrisë së Drejtësisë tha se kërkesa për hartimin e këtij projektligji ka dalë nga deputetët, ndërsa ka për qëllim të ofrojë mbrojtje juridike dhe financiare për të akuzuarit potencialë në procese gjyqësore. Kuçi tha se tradita të tilla të përafërta ka pasur edhe në vendet e tjera të rajonit.
Në emër të Komisionit për Legjislacion, deputetja Selvije Halimi prezantoi rekomandimin për miratimin në parim të projektligjit. Tri grupe parlamentare, ai i PDK-së, LDK-së dhe 6+, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, Adem Grabovci, Agim Ademaj dhe Danush Ademi, përkrahën projektligjin, ndërsa kundër tij u shpreh përfaqësuesi i Listës serbe, Sllavko Simiq.
Ministri Hajredin Kuçi dha sqarimet në pyetjet e ngritura nga nënkryetari Sabri Hamiti dhe deputeti Nait Hasani, ndërsa nënkryetari Xhavit Haliti shtroi nevojën e përcaktimit të saktë të obligimeve dhe detyrimeve ndaj të akuzuarve potencialë në këto procese gjyqësore.
Me 61 vota për, 10 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi miratoi Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara dhe ngarkoi Komisionin për Legjislacion që konform vendimit të sotëm të Kuvendit, ta shqyrtojë projektligjin dhe t'ia paraqes Kuvendit raportin me rekomandime.
Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm deputetët e grupeve parlamentare në opozitë.