Lajmet e fundit

Mbledhja plenare e Kuvendit

E Hënë, 03.08.2015




Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, u shqyrtua propozim-amendamenti nr.24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i ri-proceduar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Fillimisht, deputetja Albulena Haxhiu, duke folur në emër të Lëvizjes Vetëvendosje dhe si kryetare e Komisionit për Legjislacion...paraqiti vërejtje në aspektin procedural. Ajo tha se është obligim kushtetues i Kuvendit që ky amendament i propozuar të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim, si dhe pastaj Kryesia e Kuvendit të procedojë për shqyrtim këtë amendament në Komisionin për Legjislacion.
Qëndrim të njejtë paraqitën edhe Fatmir Limaj (Nisma) dhe Donika Kadaj-Bujupi (AAK), duke kërkuar me këtë rast që të tërhiqet ky propozim dhe të procedohet sipas ligjit dhe Kushtetutës.
Gjatë këtij diskutimi u tha se nuk është shkelje e procedurave ri-procedimi i së njejtës çështje dhe u përmend ekzistimi i mëhershëm i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
Me këtë rast, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sqaroi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk e ka të përcaktuar qartë faktin kur diçka nuk votohet, ndërsa shtoi se Komisioni për Legjislacion mund të sjellë interpretim të kësaj situate.
Duke i quajtur qëndrimet e deputetëve opozitarë si politike, Veseli tha se për të njejtën çështje Gjykata Kushtetuese nuk jep interpretim dy herë, ndërkaq shtoi se nuk po shkelet Kushtetuta, ligjet dhe as Rregullorja. "Nuk dua të gjykoj në lojëra politike, por nëse bëjë ndonjë gabim, atëherë e dërgoni në Gjykatë Kushtetuese dhe e marrë përgjegjësinë", tha Veseli.
Ndërkaq, deputeti Armend Zemaj, duke folur në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se ri-procedimi i së njejtës çështje nuk do të thotë që është shkelje e procedurave dhe as e Kushtetutës, duke kërkuar që të vazhdohet në këtë formë, meqë ekzistojnë vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
Adem Grabovci (PDK), tha se kryetari i Kuvendit nuk e përcakton i vetëm rendin e ditës, por kjo bëhet në koordinim me shefat e grupeve parlamentare në Kryesinë e Kuvendit dhe për mbajtjen e kësaj séance ka pasur koncensus të plotë, që kjo të mbahet sot në orën 10:00, duke kërkuar që të procedohet më tutje me këtë pikë të rendit të ditës.
Në vijim, Glauk Konjufca, (Vetëvendosje) tha se pikë e sotme e rendit të ditës është dashur të jetë propozimi për mocion procedural i grupeve parlamentare opozitare, për miratimin e Rezolutës lidhur me krimet e kryera nga Serbia gjatë viteve 1998-1999, andaj kërkoi që kjo çështje të miratohet në seancë.
Ndërsa Adem Grabovci tha se kanë kërkuar që të respektohen procedurat, duke përmendur faktin se kjo iniciativë ka qenë e PDK-së dhe se është një test i modifikuar i cili është ofruar. Duke u bazuar në Rregulloren e Kuvendit, sipas Grabovcit ky mocion nuk i plotëson kushtet për tu radhitur në rend të ditës. Edhe Teuta Sahatqija (LDK), paraqiti problemet procedurale që ka kjo çështje bazuar në Rregullore.
Valdete Bajrami, shefe e grupit parlamentar Nisma, kërkoi që ky mocion të hidhet në votim.
Pasi u hodh në votim, me 55 vota kundër, 42 pro dhe 5 apstenime, Kuvendi nuk përkrahu mocionin e grupeve parlamentare opozitare për miratimin e Rezolutës lidhur me krimet e kryera nga Serbia gjatë viteve 1998-1999.
Në vijim, Kuvendi vazhdoi me rendin e ditës, shqyrtimin e propozim-amendamentit nr.24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i ri-proceduar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke arsyetuar fillimisht ri-procedimin e kësaj çështje, tha se Rregullorja e Punës së Kuvendit nuk e kufizon mundësinë që Qeveria të ri-procedojë amendamentin dhe se për këtë çështje nuk ka asnjë pengesë kushtetuese.
Duke përmendur opinionin e Gjykatës Kushtetuese, se amendamenti 24 nuk cenon të drejtat dhe liritë e njeriut, tha se kjo çështje ndërlidhet me obligimet që ka marrë vendi për themelimin e Gjykatës Speciale.
Kryeministri Mustafa vlerësoi se zbardhja e së vërtetës për disa pretendime që janë ngritur kundër luftës së UÇK-së është një sfidë me të cilën Kosova duhet të përballet dhe se Kosova duhet të tregojë faktin se është e përgjegjshme të përmbushë obligimet që ka marrë.
Mustafa tha se kjo do të ruajë sovranitetin e Kosovës dhe përgjegjësinë që ka ndaj faktorit ndërkombëtar dhe përmendi faktin se me miratimin e kësaj çështje vendi ynë tregon gatishmërinë që të përballet me drejtësinë.
Duke përmendur themelimin e Dhomave të Veçanta, si një kërkesë të partnerëve ndërkombëtarë, tha se nuk do të ishte e arsyeshme që kjo të krijohej nga OKB-ja, në bazë të rezolutës 1244. Kryeministri Mustafa tha se do të ishte e udhës që ky proces të zhvillohet në Kosovë, por fatkeqësisht sipas tij dështimet në sistemin e drejtësisë kanë humbur besimin e ndërkombëtarëve, që Kosova ka zotësinë të zhvillojë gjykime të pavarura.
Duke kërkuar mbështetjen e deputetëve të Kuvendit pro themelimit të kësaj gjykatë, Mustafa tha se pas aprovimit të këtyre amendamenteve kushtetuese Qeveria e Republikës së Kosovës do të mblidhet për të shqyrtuar projektligjet për Dhomat e Specializuara dhe do të kërkojë që të mbajë seancë të jashtëzakonshme për të trajtuar këto ligje.
Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, duke u shprehur pro këtij propozimi, tha se qëndrimi i vazhdueshëm i PDK-së ka qenë dhe do të mbetet fakti se asnjëherë nuk i ikë dhe nuk i frikësohet drejtësisë. "Kërkojmë të këtë drejtësi. Jemi këmbëngulës dhe kemi premtimet e fuqishme nga të gjithë miqtë tanë, që ky proces do të jetë i drejtë, i paanashëm dhe i ndërtuar mbi bazën e dëshmive kredibile që do të respektohen të gjithë në mënyrë të barabartë. T'i japim përkrahje, ta votojmë këtë çështje dhe t'i hapim rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.", tha Grabovci.
Qëndrimin pro kësaj çështje e paraqiti edhe Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai përmendi faktin se kjo është në interes të vendit. "LDK-ja do të votojë pro këtyre ndryshimeve, në mënyrë që tu hapet rrugë këtyre proceseve që na presin", tha Beqiri.
Ndërkaq, Ramush Haradinaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke kundërshtuar miratimin e propozim-amendamentit nr.24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i ri-proceduar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, tha se nuk duhet lejuar faktin që kjo gjykatë e posaçme të krijohet vetëm për Kosovën, e cila sipas tij ishte viktima e jo monstrumi. Duke përmendur se një gjykatë e tillë mund të themelohej nga vendi ynë, me një panel të përbashkët me ndërkombëtarët, tha se nuk duhet lejuar që Kosova të bëhet eksperiment.
Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, fillimisht paraqiti vërejtje për deputetët, me mosmiratimin e Rezolutës lidhur me krimet e kryera nga Serbia gjatë viteve 1998-1999. "Për juve nuk është e rëndësishme të dënohet gjenocidi ndaj Serbisë, por të dënohen krimet e UÇK-së", tha Konjufca, duke shtuar se në asnjë vend të botës nuk ka ndodhur që të dënohet çlirimtari, para se të dënohet pushtuesi. "Askund në botë nuk krijohet një gjykatë e cila merret vetëm me njërën palë. Kemi të bëjmë me një gjykatë vetëm për UÇK-në. Gjykata po themelohet në kurriz të pavarësisë së Kosovës", tha ai duke përmendur mosmiratimin e kësaj çështje në seancën e 26 qershorit. Me këtë rast, ai tha se Qeveria ka vendosur të mos e njeh autoritetin e Kuvendit dhe kjo e shkel Kuvendin e Kosovës, duke e quajtuar këtë veprim si diktaturë qeveritare.
Valdete Bajrami, shefe e grupit parlamentar të Nisma-s, pasi kritikoi Kuvendin për vendimin lidhur me Rezolutën për krimet e kryera nga Serbia gjatë viteve 1998-1999, tha se shumica e deputetëve që kundërshtuan atë, kanë shkelur mbi gjakun e dëshmorëve të rënë, duke kundërshuar me këtë rast themelimin e Gjykatës Speciale. "I vetmi shtet që është fajtor për krimet që kanë ndodhur në luftë, është Serbia, ky shtet i cili po luan rolin e viktimës. Me votën tuaj po kërkohet që të dënoni luftën çlirimtare të të gjithë atyre trimave që nuk janë në mesin tonë.", tha Bajrami, duke kërkuar nga deputetët që ta kundërshtojnë këtë çështje.
Pasi deputetët paraqitën qëndrimet e tyre pro dhe kundër ndryshimeve kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, në fund fjalën e mori edhe zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi. Ai pasi përmendi ballafaqimet me akuzat e Dick Marty, tha se tash e 5 vjet ka diskutuar me përfaaëqsues të BE-së për këtë çështje, duke shtuar se do të dëshironte që të botohen të gjitha transkriptet nga takimet që ka zhvilluar me partnerët ndërkombëtarë dhe qëndrimet që ka pasur si kryeminsitër I atëhershëm dhe sot në pozitën aktuale që ka. Më pas ai foli edhe për formimin dhe luftën e UÇK-së.
"Jam njëri nga ata që kemi marrë vendim të rezistojmë edhe ushtarakisht më Serbinë, por ndodhi mrekullia gjatë procesit. Fituam mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, sepse zhvilluam një betejë të drejtë, luftë për çlirimin e Kosovës", tha zv.kryeministri Thaçi, duke shtuar se nëpër të gjitha këto procese kanë kaluar në bashkëpunim me BE-në, SHBA-të, NATO-n.
Thaçi tha se Qeveria e Republikës së Kosovës ka proceduar ndryshimet e nevojshme kushtetuese që të themelohet Gjykata Speciale, të cilin vendim e quajti vendim jo i lehtë, por të domosdoshëm, në kuadër të përgjegjësive që ka vendi, duke përmendur me këtë rast rrugën drejt integrimeve euroatlantike, ndërkaq, kërkoi nga deputetët mbështetje për këtë çështje.

Krejtësisht në fund foli edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili pasi përmendi mes tjerash faktin se vendi ynë bashkërisht me partnerët ndërkombëtar ka ardhur deri tek shpallja e e pavarësisë, theksoi se krijimi i një gjykate të tillë është edhe si pasojë e akuzave të brendshme.
Duke iu drejtuar përfaqësuesve ndërkombëtare, kryekuvendari Veseli tha se Gjykata Speciale do të votohet për shumë arsye, ndërsa tha se është mirë që të respektohet pavarësia dhe sovraniteti i vendit tone dhe që të mos i lënë qytetarët e Kosovës të izoluar. " Do ta votojmë Gjykatën Speciale, por është mirë që edhe ju ta respektoni shtetin tonë", tha Veseli, ndërkaq, mos liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës e konsideroi të padrejtë.
Pas shterimit të debatit për këtë çështje, propozim-amendamenti nr.24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i ri-proceduar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, u përkrah me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 apstenim.

 

 Mbledhja plenare e Kuvendit Mbledhja plenare e Kuvendit Mbledhja plenare e Kuvendit Mbledhja plenare e Kuvendit