Lajmet e fundit

Nga punimet e mbledhjes plenare të Kuvendit

E Enjte, 30.07.2015




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, (një pjesë të saj e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti), filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërkaq në pyetjet e deputetëve u përgjigjën ministrat: Arsim Bajrami, Lutfi Zharku, Ferid Agani dhe Abdullah Hoti.


Duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me hapjen e një avio-kompanie shtetërore për udhëtimin e bashkatdhetarëve, kryeministri Isa Mustafa tha se hapja e një kompanie të tillë nuk është në agjendën e qeverisë, pasi që angazhimi i ekzekutivit
bazohet në parimin që të gjitha asetet me pronësi shtetërore, por që nuk janë të lidhura me nocionin e shërbimeve publike, t'i takojnë sektorit privat. Mustafa tha se problemet e kësaj natyre, me të cilat përballen qytetarët, nuk mund të rregullohen nëpërmjet hapjes së një avio-kompanie shtetërore apo publike, por nëpërmjet masave përkatëse ndaj kompanive private.


Ndërkaq, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, i pyetur lidhur me aplikimin e Kosovës në UNESCO, tha se anëtarësimi i Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, e në kuadër të kësaj edhe në UNESCO, vazhdon të jetë një nga prioritet kryesore të qeverisë. Thaçi tha se anëtarësimi në këtë organizatë i hap rrugë Kosovës edhe për anëtarësim në organizata të tjera. Në këtë funksion, ai tha se është bërë një lobim i gjithanshëm, i udhëhequr nga Ministria e Punëve të Jashtme, ndërsa i gjithë ky proces, sipas tij, është duke shkuar në favor për Kosovën. Kërkesa, shtoi zëvendëskryeministri Thaçi, është bërë në përputhje me Kushtetutën e vendit.


Në vazhdim, me propozim të disa kryetarëve të komisioneve, rendi i ditës u plotësua edhe me pesë pika të tjera.
Kuvendi vazhdoi punimet me diskutimet lidhur me kërkesën e deputetes Donika Kadaj-Bujupi, mbështetur edhe nga gjashtë deputetë të tjerë nënshkrues, për interpelancë të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, lidhur me situatën e rëndë në industrinë e qumështit dhe produkteve të tij.


Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, njoftoi se qeveria nuk i është përgjigjur kërkesës për interpelancë në afatin e rregullt, ndërsa citoi shkresën e ministrit Krasniqi, sipas të cilës, pikat e adresuara në kërkesën e parashtruar për interpelancë, veçanërisht tek pjesa e rekomandimeve, nuk kanë të bëjnë me fushën e përgjegjësive të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sepse ato lidhen me fushat e përgjegjësive të institucioneve tjera.


Në cilësi të kërkuesit të interpelancës, deputetja Donika Kadaj-Bujupi theksoi se ka më shumë se tre vjet që qumështarët po e derdhin qumështin para qeverisë, duke kërkuar zgjidhje, ndërsa vlerësoi se baza e kësaj problematike është në Ministrinë e Bujqësisë. Duke shtruar nevojën e prezencës së ministrit në Kuvend, ajo tha se subvencionimi i këtij sektori nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, nënkupton edhe përgjegjësinë e saj kundruall prodhuesve të qumështit.


Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ndërkaq, bëri të ditur se kjo çështje bie në fushëveprimtarinë e dikasterit që ajo drejton dhe lidhur me këtë problematikë, shprehu gatishmërinë që t'i përgjigjet Kuvendit në çdo kohë.
Diskutues të tjerë vlerësuan pozitivisht punën e Ministrisë së Bujqësisë, duke evidentuar përfitimet e sektorëve të ndryshëm bujqësorë e blegtoralë nga grantet dhe subvencionet e ofruara nga kjo ministri.


Pas diskutimeve, deputetja Kadaj-Bujupi e tërhoqi kërkesën për interpelancë për seancën e sotme.


Kuvendi vazhdoi punimet me votimin për zgjedhjen e pesë anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, katër nga komuniteti shumicë shqiptar dhe një nga komuniteti serb. Pas votimit të fshehtë, për anëtarë të Bordit të RTK-së, me mandat trevjeçar, Kuvendi zgjodhi Hysen Berishën, Mimoza Hasani-Pllanën, Ismet Bexhetin dhe Lirim Gecin, ndërsa nga radhët e komunitetit serb, asnjëri nga kandidatët nuk mori votat e mjaftueshme dhe rrjedhimisht përsëritet konkursi.


Vazhdimi i pasdites filloi me shqyrtimin e parë të Projektligjit për Kinematografinë. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, gjatë prezantimit të këtij projektligji para deputetëve, tha se dispozitat e tij janë të ndërlidhura me objektivat e qeverisë për përkrahjen dhe zhvillimin e kinematografisë, ndërsa përmban praktikat më të mira evropiane dhe është i harmonizuar me legjislacionin e BE-së. Shala tha se projektligji është në funksion të krijimit të kushteve sa më të mira për kinematografinë dhe avancimit të legjislacionit së kësaj fushe, kurse në përmbajtje trajton kushtet e veprimtarisë kinematografike, si dhe përcakton bazat dhe parimet e zhvillimit të kësaj veprimtarie.


Në emër të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, kryetari Nait Hasani prezantoi qëndrimin e tij, sipas të cilit Kuvendit i rekomandohet miratimi në parim i projektligjit.


Pas deklarimeve të përfaqësuesve të grupeve parlamentare dhe deputetëve të tjerë, të cilët i dhanë përkrahje projektligjin, por njëkohësisht paraqitën edhe vërejtje të caktuara, Kuvendi e miratoi projektligjin në parim, duke ngarkuar komisionin përkatës funksional për shqyrtimin e mëtejmë dhe amendamentimin e tij.


Seanca vazhdoi punimet me shqyrtimin e dytë të projektligjeve. Pas miratimit të amendamenteve të komisioneve funksionale, Kuvendi miratoi për herë të dytë Projektligjin për digjitalizimin e transmetimeve radiodifuzive tokësore dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për markat tregtare.


Në mungesë të kuorumit, Kuvendi ndërpreu punimet. Mbledhja vazhdon nesër në orën 10:00.

 Nga punimet e mbledhjes plenare të Kuvendit  Nga punimet e mbledhjes plenare të Kuvendit  Nga punimet e mbledhjes plenare të Kuvendit  Nga punimet e mbledhjes plenare të Kuvendit