Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
E Mërkure, 29.07.2015
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga kryetarja e komisionit Albulena Haxhiu, ka përkrahur për procedim shkresën e Nën-Komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit, lidhur me kërkesën e Gjykatës Themelore në Prishtinë për heqjen e imunitetit për Enver Hasanin dhe Arta Rama - Hajrizin.
Komisioni po ashtu ka përkrahur edhe raportin me amendamente të komisionit funksional në Projektligjin nr. 05/L-039 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-029 për Patenta.
Në vijim, u diskutua edhe për shpalljen e konkursit për anëtarë të KGJK-së. Me këtë rast, u theksua se për plotësimin e dy pozitave për anëtarë në KGJK, duhet të shpallet konkursi publik dhe për këtë qëllim Komisioni formoi një grup pune që të hartojë në draft-rregullore të brendshme për kriteret e këtyre konkurseve publike.
Komisioni, po ashtu ka shfaqur shqetësimin lidhur me përdorimin e logos zyrtare gjatë propozimeve nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, për emërimin e anëtarëve të Këshillit në Agjencinë për Ndihmë Juridike falas.
Me këtë rast, u tha se logoja standarde e institucioneve të Republikës së Kosovës është me shkronja latine, e jo ato cirilike, andaj Komisioni u dakordua që të mos procedohet asnjë lloj shkrese deri në sqarimin e këtij vendimi nga Qeveria e Republikës së Kosovës, meqë u theksua fakti se logoja e kësaj ministrie nuk është në përputhje me vendimin e Qeverisë.