Lajmet e fundit
GGD u takua me Komitetin e Gruas së Verbër në Kosovë
E Shtune, 25.07.2015
Grupi i Grave Deputete ka mbajtur një takim me Komitetin e Gruas së Verbër në Kosovë ( KGVP) , lidhur me Ligjin për Personat e Verbër.
Me këtë rast kryetarja e KGVP-së Bajramshahe Jetullahu, tha se gjendja e personave të verbër është shumë e rëndë duke përmendur me këtë rast problemet shëndetësore të tyre dhe mungesën e përkrahjes institucionale.
Kryetarja e GGD-së, Blerta Deliu- Kodra tha se shumica e deputetëve janë të angazhuar për miratimin e ligjit, i cili siguron përkrahje të konsiderueshme për të verbërit si ajo financiare, trajtimi shëndetësor, shërbimet e transportit, energjia elektrike, lirimi nga taksat e ndryshme etj. "Më vjen keq që ky ligj ende nuk ka filluar të zbatohet dhe madje ende nuk është as në portalin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale", tha ajo.
Deputetja Shukrie Bytyqi theksoi se KGVP-ja është e mirëpritur që bashkë me GGD-në të nxisë zbatimin e të drejtave të tyre. "Do të përpjekemi që të kërkojmë nga Komisioni për Shëndetësi që të shikohet niveli i zbatimit të të drejtave tuaja", tha Bytyqi.
Ndërkaq, deputetja Maxhide Mjeku-Topalli tha se ky takim është shumë i rëndësishëm, veçanërisht gjatë kësaj periudhe të monitorimit të Ligjit. "Me këtë ligj ju keni të drejtë të gëzoni përkrahje institucionale, por problemi kryesor është që as Ministria për Punë Mirëqenie Sociale, as Ministria e Shëndetësisë , dhe as Ministria e Infrastrukturës, ende nuk i kanë hartuar aktet nënligjore për zbatimin e Ligjit", tha Mjeku-Topalli.
Halil Kurmehaj nga KGVK-ja paraqiti një varg problemesh të kësaj kategorie, si librezat e lëshuara nga institucionet shtetërore, papunësia, pengesat që kjo kategori ka në trafik, etj.
Krejtësisht në fund të takimit, u vendos që në fillim të muajit shtator të mbahet një takim lidhur me këtë çështje më të gjitha institucionet kompetente, me qëllim që të bëhet një shtytje për të bërë ligjin e zbatueshëm dhe që kjo kategori të realizojë të drejtat e tyre ligjore.
Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.