Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit

E Enjte, 23.07.2015




Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga kryeparlamentari, Kadri Veseli, deputetët e shumtë kanë bërë deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe kanë shtruar pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës. Pyetjeve parlamentare u janë përgjigjur kryeministri Isa Mustafa, si dhe ministrat: Arsim Bajrami, Lutfi Zharku dhe Valon Murati.

Ka pasuar votimi i propozim rezolutës së Lëvizjes vetëvendosje lidhur me mandatin e EULEX-it, për të cilën është debatuar ditën e djeshme. Duke pasur parasysh se 23 deputetë kanë votuar „për", 23 të tjerë kanë abstenuar, kurse 17 deputetë kanë votuar „kundër", rezulton se Rezoluta kalon.

Në vazhdim të seancës deputetët kanë shqyrtuar për herë të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e Autorit dhe të drejtat e përafërta, të cilin e ka prezantuar zv.rkyeministri dhe ministri i Kulturës, Kujtim Shala. Ai ka sqaruar rëndësinë që ka për vendin ton mbrojtja e të drejtave të autorit dhe të drejtat e përafërta. Ligji plotësohet konform kërkesave dhe direktivave të BE-së, ka sqaruar Shala. Qëndrimin e komisionit funksional, ndërkaq e ka paraqitur Nait Hasani, i cili ka kërkuar që projektligji të miratohet në parim.

Projektligjit i ka dhënë mbështetje: deputeti Bekim Haxhiu (në emër të PDK-së), Sali Morina (në emër të LDK-së), Isamil Kurteshi (VV), Teuta Haxhiu (AAK), Slavko Simiq (SL), Shukrie Bytyqi (NISMA) dhe Fikrim Damka (6+). Projektligji ëshë miratuar në parim me 74 për vota unanime të deputetëve të pranishëm.

Deputeti Nait Hasani ka kërkuar që në rend dite të futet votimi i shtatë anëtarëve të Këshillit për Trashëgimisë Kulturore, i shtyrë që nga prilli i këtij viti, duke tërhequr vëmendjen se ndryshe Kosova mbetet pa hyrë në UNESKO.

Me 66 vota „për", shtatë abstenime dhe tri vota "kundër", është zgjedhur Këshillit për Trashëgimi Kulturore , prej shtatë anëtarësh (Shafi Gashi, Florim Isufi, Arietë Miftari, Doruntinë Matoshi, Visar Haxhibeqiri, Bego Kululleri dhe Filjko Jovanoviq), me mandat trevjeçar.

Para shqyrtimit të dytë të Projektligjit për Armë, në emër të komisioni funksional raportin me rekomandime për këtë projektligj e ka paraqitur deputeti Rexhep Selimi. Deputetët me shumicë votash e kanë miratuar këtë projektligj.

Duke e shqyrtuar për herë të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-246, për Pajisje me Armë, Municion dhe Pajisje Përkatëse të Sigurisë për Institucionet e Autorizuara Shtetërore për Siguri, raportin me rekomandime, në emër të komisionit funksional, e ka paraqitur deputeti Anton Çuni, i cili ka theksuar se komisioni kishte qëndrim unik për katër amendamentet e propozuara. Me votë unanime të 71 deputetëve të pranishëm është miratuar ky projektligj.

Si pikë e fundit e kësaj seance ka qenë shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2014, Raportin me rekomandime, në emër të Komisionit për Legjislacion... e ka paraqitur Selvie Halimi. Vërejtje për raportin kanë pasur deputetë nga radhët e opozitës, sidomos për mospërfshirjen e mërgatës sonë në zgjedhjet në Kosovë, ndërkohë që Serbisë i është mundësuar jo vetëm të votojë për zgjedhjet në Kosovë, por edhe të falsifikojë numrin e votuesve. Prandaj ata kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë këtë raport.

Në përfundim Raporti vjetor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2014 është miratuar me shumicë votash të deputetëve të pranishëm.

 

 

Nga punimet e seancës plenare të KuvenditNga punimet e seancës plenare të KuvenditNga punimet e seancës plenare të KuvenditNga punimet e seancës plenare të Kuvendit