Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit
E Mërkure, 22.07.2015
Mbledhja e sotme plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës e drejtuar nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ( një pjesë u drejtua nga nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti) vijoi me pikat e mbetura nga seanca e kaluar dhe pikërisht me votimin e Projektligjit për Sigurimet, i cili u miratua në parim.
Gjithashtu, u përkrahën në parim edhe këto projektligje: Projektligji për faljen e borxheve publike, Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, Projektligji për Tatimin në të Ardhurat Personale.
Më tej, Kuvendi vijoi me kërkesën e deputetes Albulena Haxhiu, e mbështetur nga 5 deputetë nënshkrues për debat parlamentar lidhur me veprimtarinë e misionit të BE-së në Republikën e Kosovës.
Albulena Haxhiu, duke paraqitur arsyetimin e këtij debati, tha mes tjerash se misioni i BE-së që nga themelimi e deri në ditët e sotme nuk ka funksionuar mbi bazën e një kornize juridike, përmes së cilës do ta njihte shtetin e Kosovës, përkatësisht statusin e saj si Republikë sovrane.
Haxhiu vlerësoi se ky mision dështoi në zbatimin e kompetencave ekzekutive, të cilat ishin besuar nga institucionet më të larta të vendit.
Pasi përmendi disa nga akuzat, që siç u shpreh ajo, përfshijnë prokurorët dhe gjyqtarët e EULEX-it, paraqiti rezolutën e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Mes tjerash u kërkua që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta ftojë Presidenten e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, që t'i kërkojë Komisionares së Lartë për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, që të fillojë hetimin për secilin rast për zyrtarët e EULEX-it, në raportin që zyrtarët e BE-së kanë hartuar.
Më tej, ajo mes tjerash kërkoi që të ketë raportim të jashtëzakonshëm nga kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, lidhur me ndikimin e çështjeve hetimore të zyrtarëve të EULEX-it dhe marrjes në mënyrë arbitrare të kompetencave të organeve të drejtësisë nga ana e EULEX-it.
Adem Grabovci, shef i grupit parlamentar të PDK-së, theksoi se PDK-ja mbështet zhvillimin e debateve konstruktive në Kuvend të ngritura nga kushdo, por nuk pranon të përfshihet në debate shtërpe të mbështetura në shpifje e sajesa mediale dhe jo në fakte dhe dokumente konkrete.
Në emer të Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, theksoi se duke pasur parasysh debatin, si debat politik në Kuvend, kjo forcë politike mbështet debate të tilla të ngritura nga cilido grup parlamentar, grup deputetësh apo deputetë individ, por nuk mund të përfshihet në debate për probleme të pavërtetuara apo të ngritura nga dikush që nuk ka kompetencë në vendimmarrje për probleme të tilla.
Glauk Konjufca, duke folur në emër të grupit Parlamentar të VV -së, theksoi faktin se duhet të debatohet në Kuvend për një institucion të tillë si EULEX-i, kur vetë ky Kuvend e ka miratuar qëndrimin dhe zhvillimin e aktivitetit të këtij institucioni të BE-së në Kosovë, tha ai. "Nëse nuk debatojmë këtu, ku tjetër duhet të dabatojmë.
Nga vetë prokurorët e e EULEX-it janë ngritur akuza dhe kundër-akuza për abuzime dhe korrupsion. Vetë përfaqësuesja e BE-së, znj. Mogherini ka dërguar një trup prokurorësh për të trajtuar këto akuza dhe kundër akuza brenda EULEX-it. E pse nuk duhet trajtuar dhe debatuar në Kuvend për EULEX-in, kur vetë ky institucion e ka humbur kredibilitetin e tij institucional?!", tha ai.
Deputetja Time Kadriaj në emër të grupit parlamentar të AAK-së mes të tjerash tha se BE-ja ka bërë përpjekje për shtet-ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e Kosovës nëpërmjet organizatave të saja, një nga të cilat është EULEX-i." Por, për çudi ka një dështim të këtij institucioni në Kosovë dhe natyrshëm duhet të trajtohet dhe debatohet një problem i tillë. Jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe brenda BE-së ka pakënaqësi për aktivitetin e EULEX-it, pasi ky institucion e ka pasur për detyrë zhvillimin e drejtësisë në Kosovë, e jo të ndal atë", tha Kadriaj.
Në emër të grupit parlamentar të Nisma-s, foli edhe kryetarja e këtij grupi, Valdete Bajrami. Me këtë rast, ajo vuri theksin në dështimin e EULEX-it në fushën e drejtësisë. "Jo vetëm që EULEX-i nuk e zhvilloi këtë fushë, por u përzie me pushtetarët e Kosovës duke mos luftuar krimin dhe korrupsionin, por përkundrazi është marrë më shumë me probleme politike duke shantazhuar dhe eliminuar politikanë të ndryshëm të Kosovës", tha Bajrami.
Pas një diskutimi të gjerë të deputetëve, rezoluta e propozuar nga deputetja Albulena Haxhiu (VV) nuk u hodh në votim për shkak të mungesës së kuorumit. Me këtë rast, seanca ndërpreu punimet.