Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Marte, 21.07.2015
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga zv.kryetari i parë, Ali Sadriu, u shqyrtua Raporti i Auditimit të Përformancës për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve zyrtare, si dhe Raporti i Auditimit për Pasqyrat Financiare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për vitin 2014.
Për këtë çështje të pranishëm në këtë takim ishte kryesuesi i KGJK-së, Enver Peci, si dhe përfaqësues të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.
Pas prezantimit të raporteve nga ana e përfaqësuesve të ZAP-it, anëtarët e komisionit shfaqën një varg shqetësimesh lidhur me mirëmbajtjen dhe riparimin e veturave zyrtare në KGJK.
Ata vlerësuan se nuk është bërë identifikimi i nevojave të shpenzimeve, si dhe regjistrimi i pjesëve, ndërkaq u tha se janë evidentuar dallime të mëdha të çmimeve të ofruara krahasuar me çmimet e tregut, duke përmendur me këtë rast edhe ndryshimet e çmimeve nëpër qytete të ndryshme të vendit.
Përfaqësues të KGJK-së u zotuan se do të eliminojnë të gjitha parregullësitë në këtë institucion dhe se në të ardhmen do të shënohen përmirësime në këtë pikë.
Krejtësisht në fund, nga KGJK-ja u kërkua që të ndërmarrë masa konkrete për evitimin e këtyre problemeve dhe të përgatisin një Plan Veprimi për adresim të çështjeve.
Ndërsa, gjatë shqyrtimit të Raportit të Auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të KGJK-së, u tha se krahasuar me vitin paraprak janë shënuar përmirësime.
Pikë e rendit të ditës së mbledhjes së Komisionit ishte edhe shqyrtimi i raporteve të Auditimit për pasqyrat vjetore financiare, të Policisë së Kosovës, si dhe të ministrisë së Integrimit Evropian, si dhe Raporti e Auditimit të Performancës për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve zyrtare. Mirëpo, shqyrtimi i tyre është shtyrë për javën e ardhshme, në mungesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, si dhe të ministrit të Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku. Anëtarët e Komisionit shfaqën një varg kritikash për shkak të mosprezencës së tyre në këtë takim, ndërkaq theksuan se çështja e automjeteve zyrtare do të procedohet për diskutim në seancë plenare.