Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit të Kosovës
E Enjte, 16.07.2015
Mbledhja e sotme plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryetari, Kadri Veseli, (një pjesë u kryesua nga nënkryetari Sllobodan Petroviç dhe nga nënkryetari Sabri Hamiti ) filloi me pikat e rëndomta, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërsa për pikën, pyetje parlamentare, deputetëve iu përgjigjën ministrat: Hikmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Imet Rrahmani, ministër i Shëndetësisë, Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Lutfi Zharku, ministër i Infrastrukturës.
Pas miratimit të procesverbaleve te seancës se kaluar, deputetët kërkuan ndryshimin e rendit të ditës pasi kishin propozime konkrete. Kështu deputeti Nait Hasani propozoi të futet në rend të ditës themelimi i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. Deputeti Naser Osmani, në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa kërkoi që në rendin e ditës, si pika e gjashtë, të hyjë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Faljen e Borxheve Publike.
Gjithashtu, u kërkua që nga rendi i ditës, të hiqet kërkesa e deputetes Albulena Haxhiu, për debat parlamentar lidhur me veprimtarinë e misionit të EULEX-it në Republikën e Kosovës, pikë kjo e bartur nga seanca e kaluar.
Pas propozimeve dhe diskutimeve të ndryshme, kryetari i Kuvendit, z. Veseli lidhur me propozimet e bëra, në bazë të rregullores së Kuvendit hodhi në votim ndryshimin e rendit të ditës nga të cilat u miratuan: propozimi për themelimin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe propozimi për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Faljen e Borxheve Publike. Nuk u miratua, ndërkaq, propozimi për heqjen nga rendi i ditës, i pikës 10, për debat parlamentar lidhur me veprimtarinë e misionit të EULEX-it në Kosovë.
Lidhur me propozimin e Presidentes së Kosovës për Zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, deputeti Ali Sadriu kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave tha se komisioni, pasi e ka shqyrtuar propozimin e Presidentes, ka konkluduar se nuk ka materie për ta shqyrtuar, ndaj komisioni njëzëri ka vendosur t'ia delegojë Kuvendit për të proceduar më tej. Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si obligim i Presidentes së Kosovës për zgjedhjen Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, ajo i ka propozuar Kuvendit z. Valon Bytyçi, si kandidat.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pasi theksoi se në bazë Rregullores së Kuvendit, propozimi i Presidentes miratohet me dy të tretat e votave të deputetëve, e hodhi atë në votim.
Kuvendi nuk e miratoi propozimin presidentes së Kosovës për zgjedhjen e Valon Bytyçi, Auditor të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.
Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015.
Pasi shqyrtoi një për një të gjitha amendamentet e propozuara, Kuvendi e miratoi projektligjin në shqyrtim të dytë.
Në vazhdim, deputetët shqyrtuan për herë të parë Projektligjin për Sigurimet, të cilin e prezantoi ministri i Financave, Abdullah Hoti. Ai u përqendrua në vlerën dhe cilësinë e këtij ligji, i cili për herë të pare trajtohet në Kosovë. Në emër të komisionit për Buxhet dhe Financa Naser Osmani, e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm trajtimin e këtij ligji, ndaj kërkoj mbështetjen për votim.
Për shkak të mungesës së kuorumit për votimin e projektligjeve, si edhe mungesës së deputetes Albulena Haxhiu, përfaqësuese e kërkesës për debat parlamentar lidhur me veprimtarin e misionit të EULEX-it në Republikën e Kosovës, seanca ndërpreu punimet.